Në një intervistë për France Football, Lionel Messi ka thënë se Barcelona ishte zgjedhja e tij e parë kur u largua nga Paris Saint-Germain.
Ylli argjentinas pritej që të rikthehej në këtë verë te gjiganti katalunas, por vështirësitë financiare të këtyre të fundit e anuluan atë operacion.
“Unë mund të kthehesha te Barcelona, por nuk ndodhi”, ka deklaruar Messi. “Kur më duhej të largohesha nga klubi (në vitin 2021), ishte kështu”.
“Këtu ishte njësoj, edhe nëse rrethanat ishin të ndryshme. Mendimi im i parë ishte të shkoja në shtëpi në Barcelonë, të luaja përsëri për Barcelonën dhe të pensionohesha atje, siç e kisha ëndërruar gjithmonë”.
“Por, kjo nuk ishte e mundur. Prandaj ne morëm vendimin për të ardhur këtu (Inter Miami). Unë arrita të gjitha objektivat që i vendosa vetes në karrierën time, gjë që më lejoi të mendoj përtej anës sportive të gjërave, të mendoj për edhe familjen time, për të shfrytëzuar në maksimum një këndvështrim tjetër”, ka shtuar më tej ai.
Messi mund të mos luajë më kurrë për Barçën. Megjithatë, superylli argjentinas mund të marrë një lojë lamtumirëse në të ardhmen e afërt. /Telegrafi/