Çmimet e naftës ranë në 86 dollarë në tregjet ndërkombëtare sot, pasi investitorët u qetësuan nga mesazhet iraniane pas incidentit “të dyshimtë” me dron, duke zbutur frikën për një përshkallëzim në konfliktin izraelito-iranian.
Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie pas mesditës ishte me 72 cent më i ulët se në mbylljen e tregtisë së djeshme dhe arriti në 86.39 dollarë.
Në tregun amerikan, një fuçi me datë dorëzimi në muajin maj tregtohej me një çmim më të ulët prej 66 cent, nga 82.07 dollarë.
Pothuajse me të njëjtën shumë, çmimi i një fuçie për dërgesë në qershor ra, duke zbritur në 81,42 dollarë.
Ndryshe, çmimet e naftës dhe arit janë rritur menjëherë pas sulmit izraelit drejt Iranit.
Bëhet e ditur se çmimet e naftës fillimisht u rritën për 3.5 për qind. Megjithatë, ato u ulën përsëri kur mediat iraniane raportuan se nuk ka dëme në qytetin Isfahan ku edhe raportohej për shpërthime nga hakmarrja izraelite në orët e mëngjesit të së premtes.
Përveç naftës, edhe çmimi i arit rritet në momente pasigurie si ky, pasi konsiderohet si investim i sigurt.
E tensionet e rritura në Lindjen e Mesme kanë rritur shqetësimet edhe për bllokimin e mundshëm të rrugës detare në ngushticën e Hormuzit midis Omanit dhe Iranit, rrugë kjo nga e cila kalon 20 për qind e furnizimit të përgjithshëm të botës me naftë. /Telegrafi/