Juventusi po lidhet me një goditje ‘treshe’ për tre klientë të agjenti Jorge Mendes – Ruben Neves, David de Gea dhe James Rodriguez.
Zonja e Vjetër ka shtruar diktatin tash e shtatë vite në Serie A, duke fituar radhazi titullin kampion.
Megjithatë, drejtuesit e klubit nga Torino duan lavdinë evropiane të Ligës së Kampionëve dhe janë duke synuar transferime të mëdha për ta arritur këtë.
Sipas mediumit italian Calciomercato.com, Juventusi nuk diskutoi vetëm për Neves gjatë takimit të tyre me Mendes të mërkurën, pasi super-agjenti gjithashtu iu ofroi atyre edhe De Gean dhe Jamesin.
Faqja e internetit shpjegon se një marrëveshje për talentin e Wolverhamptonit është ‘e mundur’, duke pasur parasysh problemet e Bianconerëve në mesfushë.
Megjithatë, ai mund të ndiqet verën e ardhshme nga De Gea, kontrata e të cilit me Manchester United mbaron atëherë.
Për më tepër, CalcioMercato pretendon se Bayern Munich mund të anashkalojë opsionin e blerjes për James në fund të sezonit, duke hapur rrugën për Zonjën e Vjetër.
Juve tashmë kanë dy klientë të Mendesit në ekipin e tyre dhe ata janë dyshja portugeze, Cristiano Ronaldo dhe Joao Cancelo. /Telegrafi