Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Projektin për Decentralizim dhe Mbështetje Komunave (DEMOS), që zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation.
Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit në saje të këtij bashkëpunimi parashihet të krijohen më shumë mundësi për pjesëmarrje aktive të qytetarëve.
“Memorandumi është nënshkruar me qëllim të bashkëpunimit për përmirësim të qeverisjes pjesëmarrëse dhe sigurimit të angazhimit kuptimplotë të qytetarëve në procesin e planifikimit të hershëm buxhetor komunal”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahje Komunave (DEMOS) mbështet komunat e Kosovës për arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal.
Në këtë aspekt angazhohet që komunat të realizojnë ndryshime sistemike që promovojnë qeverisje të mirë dhe ofrim më të mirë të shërbimeve që çojnë në ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve, raporton Telegrafi.
Krahas kësaj DEMOS mbështet edhe Qeverinë e Kosovës për zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.
Sipas të dhënave në ueb faqen e këtij projekti, DEMOS aktualisht është në fazën e tretë (2022-2025) dhe bashkëfinanohet nga Bashkimi Evropian në Kosovë, Zvicra, Suedia dhe Norvegjia dhe zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation Kosovë. /Telegrafi/