Mbreti Charles është diagnostikuar me një formë kanceri, ka njoftuar pallati mbretëror Buckingham, shkruan BBC.
Nuk është kancer i prostatës, por u zbulua gjatë trajtimit të tij të fundit për prostatë të zmadhuar, transmeton Telegrafi.
Lloji i kancerit nuk është zbuluar, por sipas një deklarate të pallatit, Mbreti filloi “trajtimet e rregullta” të hënën.
Pallati Buckingham thotë se Mbreti “mbetet plotësisht pozitiv në lidhje me trajtimin e tij dhe pret që të kthehet në detyrën e plotë publike sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ai do t’i shtyjë angazhimet e tij publike dhe pritet që anëtarët e tjerë të familjes mbretërore të ndihmojnë për ta përkrahur gjatë trajtimit të tij.
Nuk po jepen detaje të mëtejshme për fazën e kancerit apo një prognozë.
Mbreti, 75 vjeç, u kthye në Londër nga Sandringham në Norfolk të hënën në mëngjes, kurse pallati thotë se ka filluar trajtimin.
Edhe pse ai do të ndalojë ngjarjet e tij publike, Mbreti do të vazhdojë me rolin e tij kushtetues si kreu i shtetit, duke përfshirë dokumentet dhe takimet private. /Telegrafi/