Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala sot do të mblidhet me shumë mundësi për herë të fundit me këtë përbërje.
Në mbledhje është paraparë miratimi i draft raportit të punës së këtij komisioni.
Komisioni do të mblidhet prej orës 11:00 në një nga sallat e Kuvendit të Kosovës.
Ndryshe, kjo mbledhje vjen vetëm një ditë para seancës së jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit.
Por, deputetët e këtij komisioni në mbledhjen e tyre të fundit të gjithë njëzëri janë shprehur se puna hetimore ndaj kësaj ndërmarrje publike duhet të vazhdohet edhe në legjislaturën e ardhshme.
Për këtë, ata kanë kërkuar që mos t’i dërgohet ndonjë raport gjysmakë për votim Kuvendit të Kosovës para shpërndarjes së tij, por vetëm të votohet një draft që komisioni i ardhshëm hetimor të ketë si pikënisje vazhdimin e punës së tyre.