Real Madridi mbrëmë (e diel) ka gjetur fitoren në takimin ndaj Real Betisit që u zhvillua në ‘Santiago Bernabeu’ duke fituar me rezultat të pastër 2-0.
Ylli i ‘Los Blancos’ në këtë takim ishte Kylian Mbappe i cili për herë të parë tundi rrjetën në kampionat, madje këtë e bëri dy herë.
Që prej se ai u transferua tek Real Madridi, pati zëra se raportet e tij me brazilianin Vinicius nuk ishin të mira, ku aludohej se ky i fundit e injoronte francezin në fushë.
Megjithatë, e vërteta nuk qëndron aspak kështu, pasi pas përfundimit të takimit, Mbappe i ka siguruar personalisht tifozët e Real Madridit se nuk ka aspak hatërmbetje në raportin e tij me Vinicius.
“Të flasim për mua dhe Vinin? Është në rregull, ne jemi të famshëm, e kuptojmë se njerëzit flasin”, ka thënë fillimisht Mbappe.
“Trajneri tha se të dy i ekzekutojmë penalltitë? Nuk dua t’i sforcojë gjërat, ky nuk është mentaliteti im”, u shpreh francezi.
Në mesjavë Real Madridi u ndal në udhëtim tek Las Palmas me rezultat 1-1, ku ‘Los Blancos’ golin në atë takim e gjetën pikërisht nga pika e bardhë.
Ishte Vinicius ai i cili u tregua i saktë për të barazuar shifrat, megjithëse shumë persona kishin menduar se ai duhej t’ia dhuronte atë Mbappes për t’i ngritur moralin./Telegrafi/