Flota e Pestë e Marinës së SHBA-së tha të martën se kishte kapur një anije peshkimi që kontrabandonte sasi “masive” të lëndës shpërthyese ndërsa kalonte nga Irani përgjatë një rruge në Gjirin e Omanit që është përdorur për trafikun e armëve për grupin Houthi të Jemenit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, forcat amerikane gjetën mbi 70 ton perklorat amoniumi, i cili përdoret zakonisht për prodhimin e karburantit të raketave, si dhe eksplozivëve, tha Flota e Pestë në një deklaratë.
Një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite që lufton me Houthi-t e lidhur me Iranin në Jemen që nga viti 2015, ka akuzuar vazhdimisht Iranin për furnizimin e grupit me armë, një akuzë që Teherani e mohon.
“Kjo ishte një sasi masive e materialit shpërthyes, e mjaftueshme për të furnizuar më shumë se një duzinë raketash balistike me rreze të mesme, në varësi të madhësisë”, ka thënë zëvendësadmirali Brad Cooper, komandant i Komandës Qendrore të Forcave Detare të SHBA, Flotës së 5-të të SHBA dhe Forcave të Kombinuara Detare.
“Transferimi i paligjshëm i ndihmës vdekjeprurëse nga Irani nuk kalon pa u vënë re. Është i papërgjegjshëm, i rrezikshëm dhe çon në dhunë dhe destabilitet në të gjithë Lindjen e Mesme”, shtoi ai.
Ndërkohë nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Irani mbi akuzën.
Anija e kapur kishte katër anëtarë të ekuipazhit jemenas dhe gjithashtu mbante 100 ton “pleh”, i cili përdoret në bujqësi, por edhe për prodhimin e eksplozivëve, tha Flota e Pestë.
Forcat amerikane fundosën anijen të dielën në Gjirin e Omanit pasi ishte një “rrezik për lundrimin për transportin tregtar” dhe ekuipazhi i saj iu dorëzua rojës bregdetare të Jemenit, shtoi ai.
Dhjetorin e kaluar, Flota e Pestë sekuestroi një ngarkesë me pushkë sulmi dhe municione nga një anije peshkimi që besohej se kishte origjinën në Iran për të furnizuar Huthit. /Telegrafi/