Presidenti turk, Recep Taiyyp Erdogan, po planifikon festën e madhe që ka të bëjë me pushtimin otoman të Kostandinopojës, Stambollit të sotëm, ku pritet të marrin pjesë mbi një milion njerëz.
Festimi do të jetë kombinim i modernes dhe mesjetares, kështu që parada e jeniçerëve do të përcillet edhe nga aeroplanët luftarakë turq, transmeton Telegrafi.
Masat e sigurisë do të jetë e jashtëzakonshme, ndërsa për organizim po përdoret imazhi i Sulltan Mehmet Pushtuesit dhe presidentit Erdogan.
Në manifestimin e vitit të kaluar, pak para zgjedhjeve, fjalimin e tij Erdogani e shndërroi në fushatë për të qëruar hesapet me kundërshtarët dhe kritikët e tij.
Dikur qyteti më i madh dhe më i pasur në botë, që ishte për më shumë se njëmijë vjet kryeqyteti i Perandorisë Bizantine ose Perandoria Lindore Romake, ra më 29 maj 1453, pas një rrethimi 53-ditor të forcave osmane. Pushtimi i Kostandinopojës ishte demonstrimi më i mirë në atë kohë i fuqisë së Perandorisë Osmane.
Për shekuj me radhë, Stambolli ishte bastion i ushtrive islame nga lindja në rrugën e tyre drejt Evropës. Me rënien e Kostandinopojës, “Romës së re”, evropianët kishin frikë se shumë shpejtë do të bie Roma e vjetër, pra selia e Kishës Katolike. Në të vërtetë, dy shekuj më vonë turqit kishin hyrë të thellë në Evropë, duke kërcënuar kryeqytetin Habsburgëve – Vjenën perandorake, transmeton Telegrafi.
Erdogani nga kritikët cilësohet si personi që synon ta rikthejë Perandorinë Otomane, ndaj dyshojnë se festimi i sivjetmë do të përdoret sërish për ambiciet e tij personale.
Deri tash gjërat po shkojnë si do Erdogani, pasi kryeministri i ri, Yildirim, kanë marrë mbështetjen e Parlamentit. Pro tij ishin 315 deputetë.
Yildirim, që është edhe kreu i ri i Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit, po ashtu do të jetë pjesë e manifestimit të pushtimit të Kostandinopojës. Emërimi i tij dhe planet për këtë festë masive, po cilësohen si hapat e parë drejtë instalimit të një sistemi presidencial në Turqi. /Telegrafi/