Site icon Telegrafi

Mane nuk do të luaj fare, por zbulohen tre arsyet pse trajneri Cisse nuk e largon kapitenin nga lista

Sadio Mane është mungesa e madhe e Senegalit në Kampionatin Botëror ‘Katar 2022’.

Mungesa e tij është një goditje e madhe për Senegalin të cilët e përfshinë në listë, por ditë më parë njoftuan se Mane nuk do të mund të luaj në botërorë.

Megjithatë trajneri Alio Cise ka vendosur ta mbajë në listë kapitenin Mane, pasi nuk do ta zëvendësojë atë dhe do të jetë me 25 futbollistë në dispozicion.

Mediat e ndryshme në Senegal kanë zbuluar tre arsyet pse Cisse ka marrë këtë vendim për ta mbajtur Manen në listë, përkundër që ylli i Bayernit do të mbetet jashtë fushave nga tre deri në pesë muaj.

E para lidhet me faktin e vlerësimit për lojtarin e Bayern Munich në lidhje me kontributin e tij në fitimin e Kupës së Afrikës, por edhe kualifikimin në Botëror.

E dyta ka të bëjë me faktin se emri i Mane do të qëndrojë në listën e të grumbulluarëve dhe në rast se kombëtarja afrikane del me një medalje nga Kupa e Botës në Katar, atëherë edhe sulmuesi do të merrte një nderim të tillë.

Dhe e treta që lidhet sërish me një rrugëtim të suksesshëm të Senegalit në Botëror. Nëse ata ia dalin të mbërrijnë në fazat më të rëndësishme të Botërorit, atëherë do të shpërbleheshin në aspektin financiar dhe sërish në këtë formë, edhe mane do të përfitonte.

Kujtojmë se Senegali ndodhet në Grupin A të Kupës së Botës së bashku me Katarin, Holandën dhe Ekuadorin. /Telegrafi/

Exit mobile version