Ukrainasi Maksym luftoi për 200 orë pa ndërprerje kur u vra nga një snajperist rus në qytetin e Bakhmutit.
“Tetë ditë nuk ka ngrënë e as nuk ka fjetur, as pesë minuta nuk ka mundur të mbyllë sytë se snajperi ka mundur të qëllojë”, thotë nëna e tij Lilia, transmeton Telegrafi.
Ka një arsye që ajo e quan Bakhmutin ferr. Është qyteti ku mbeti i vrarë një nga djemtë e saj, ndërsa tjetri u plagos rëndë. I vetmi ngushëllim i saj është se një djalë vdiq duke i shpëtuar jetën një tjetri, shkruan BBC.
U paraqitën vullnetarë për të luftuar
Maksym dhe Ivan dolën vullnetarë për të luftuar kur Rusia pushtoi Ukrainën vitin e kaluar. Në atë kohë Maksym ishte 22 vjeç, kurse Ivani vetëm 18.
Vëllai më i vogël Ivani, i cili ende mban plagët, thotë se ishin të pandashëm.
“Ai ishte gjithmonë pranë meje dhe unë pranë tij, ishte personi im i preferuar”, tha Ivani
Ai tregoi video dhe fotografi të tyre së bashku – në një istikame, në një automjet ushtarak gjatë një pushimi. Me kalimin e kohës, dy të rinjtë e buzëqeshur e të pashëm mund të shihen duke ndryshuar, duke u dukur gradualisht gjithnjë e më të lodhur ndërsa lufta ua grabit pafajësinë.
Ata kaluan momentet e fundit së bashku në beteja brutale për çdo shtëpi në Bakhmut.
“Aty nuk mund të flije. Na sulmuan 24 orë në ditë”, thotë Ivan.
Maksym shpëtoi vëllain e tij dhe e tërhoqi zvarrë në strehë
Njësia e dy vëllezërve ishte bllokuar në një dhomë pa dritare në një ndërtesë. Ata duhej të thyenin muret për të vendosur pozicione qitjeje. Pastaj u urdhëruan të tërhiqeshin. Ivan kujton momentin para se të plagosej.
“Mbaj mend që mbusha armën. Dola nga pas murit dhe pashë një shkëndijë, mbeta i paralizuar dhe rashë”, tha ai.
Thotë se më pas ka ndjerë ngrohtësinë e gjakut që i rridhte nga lëndimet në fytyrë. Nuk e mendonte se do të mbijetonte.
“Mendova se kisha mbaruar, do të më dilte gjak dhe kaq ishte”, shtoi Ivani.
Por Maksymi vrapoi për ta shpëtuar dhe e tërhoqi zvarrë për t’u mbuluar.
“Më ringjalli, më nxori dhëmbët e thyer dhe filloi të më jepte ndihmën e parë”, thotë Ivan.
Kjo përfshinte shpimin e një vrime në fytin e Ivanit për të parandaluar mbytjen.
Ivan tregoi një video të vëllait të tij që fshin butësisht gjakun e tij menjëherë pas shpërthimit. Një video tjetër tregon Ivanin duke u përpjekur të ecë me një plagë të hapur në fytyrë, por ende mban flamurin e tij ukrainas: një simbol i guximit dhe rezistencës në betejën për Bakhmut.
“Vëllai im nuk më la të vdisja”
Ivani nuk ka dyshime se do të kishte vdekur nëse nuk do të ishte ndihma e Maksymit: “Vëllai im nuk më la të vdisja. Ai më shpëtoi”.
Maksym kërkoi ndihmë përmes radiolidhjes. Por ekipi i parë i mjekëve që u përpoq ta arrinte atë, vdiqën në automjetin e tyre kur u godit nga një raketë ruse antitank. U deshën edhe nëntë orë të tjera para se të arrinin të shpëtonin Ivanin.
Në vend që të shkonte me vëllain e tij, Maksym doli vullnetar të qëndronte në Bakhmut, për të udhëhequr njësinë e tyre. Një javë më vonë Maksym u vra nga një snajperist rus.
Në Ukrainë funeralet e ushtarëve janë bërë të përditshme, si zhurma e artilerisë në front. Por jo të gjitha funeralet janë si ato të Maksymit. Së bashku me familjen e tij të pikëlluar, i gjithë qyteti i Tomakivka doli për ta nderuar. /Telegrafi/