Site icon Telegrafi

Majko: Vuçiqi po kërkon shkatërrimin e paqes në rajon, duke refuzuar të nënshkruaj marrëveshje me Kosovën

Ish-kryeministri i Shqipërisë gjatë viteve të luftës së Kosovës dhe njëkohësisht deputeti i PS-së, Pandeli Majko ka kritikuar ashpër presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq për refuzimin e nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën.

Ai përmes një shënimi në Facebook ka thënë se presidenti i Serbisë me këto veprime po rrezikon paqen  në rajon.

“Vuçiq ka bërë marrëveshje me veten që të jetojë si gënjeshtar, dhe jo si dështak!”, ka shkruar Majko.

“Deklarata e tij, se “…Nuk dua të bëj marrëveshje juridike ndërkombëtare me Republikën e Kosovës” kërkon shkatërrimin e paqes në rajon”, ka vijuar ish-kryeministri i Shqipërisë.

Lexo po ashtu Dakordimi për aneksin në Ohër, Osmani thotë se Serbia do të vazhdojë t’i shkelë marrëveshjet

“Konfuzioni si mekanizëm kontrolli, ka vetëm një përgjigje!…”, ka përfunduar Majko komentin e tij për zhvillimet e fundit.

Ndryshe, të shtunën shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Duke iu adresuar gazetarëve, ai tha se kjo është një “arritje e rëndësishme”.

Lexo po ashtu Pacolli: Tepër vonë për të vajtuar apo lavdëruar atë që ndodhi në Ohër, ta mbështesim qeverinë në zbatimin e marrëveshjes

“Ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, tha Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”./Telegrafi/

Exit mobile version