Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka kundërshtuar themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.
Shefja e këtij grupi parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë në seancën e Kuvendit të enjten se peticioni i iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës e i nënshkruar nga 41 deputetë, është hap i ngutshëm.
“LDK-ja ka ndërmarr një hap i cili është hap i ngutshëm sipas Grupit Parlamentar të LVV-së duke dorëzuar në Kuvend kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore. Megjithatë, disa muaj ma herët në Kuvend dhe në media janë përmendur dyshimet se mund të ketë keqpërdorime me rezervat shtetërore”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ajo tutje është shprehur se për këto dyshime Prokuroria e Shtetit ka reaguar dhe me datën 18 gusht 2023 “në mënyrë spektakulare” ka arrestuar dy persona pranë Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë dhe një subjekt afarist.
“Për të iu rikujtuar se si funksion hetimi parlamentar, ne kemi pasur rast në të cilin paraprakisht kemi kërkuar informata nga Prokuroria për rastet të cilat janë në Prokurori dhe cila ka qenë përgjigja e Prokurorisë? Asnjë dokument i vetëm nuk i është lëshuar Kuvendit të Kosovës. Ky ka qenë rasti me Komisionin Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë. Kur janë kërkuar informata për raste që janë në Prokurori”.
Sipas saj, ky hetim parlamentar synon të bëjë paralelizëm për diçka qe organet e rendit janë të përfshira, ndërsa ka pyetur deputetët nënshkrues të peticionit “A nuk po i besoni Prokurorisë apo e konsideroni veten hetues më të aftë se Prokuroria dhe Policia?”.
Ndryshe, Kuvendi po vazhdojnë të mbajë seancën e veçantë për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore. /Telegrafi/