Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësime lidhur me Ligjin për Administrimin e Procedurave Tatimore, që është miratuar gjashtë muaj më parë në Kuvendin e Kosovës vetëm me votat e deputetëve të LVV.
Në një konferencë për media, ai tha se ky ligj i miratuar pa shqyrtimin e kërkesave dhe shqetësimeve të komunitetit të biznesit dhe grupeve parlamentare opozitare, ka filluar të japë efekte negative për bizneset dhe administratën tatimore.
Haradinaj akuzoi Qeverinë Kurti për përpjekje për të ndikuar në ligje dhe akte të tjera normative me qëllim të krijimit të një rendi të ri politik, që sipas tij, dëmton ekonominë e tregut dhe iniciativën private.
Ai theksoi se Ligji ka në të paktën gjashtë nene që janë në kundërshtim me parimet kushtetuese.
Një shembull i këtij shqetësimi është kërkesa e Avokatit të Popullit drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre neneve me Kushtetutën e Kosovës.
Haradinaj veçoi shqetësimet lidhur me nenet 14, 16 dhe 26, të cilat, sipas tij, shkelin të drejtat bazike kushtetuese dhe dëmtojnë bizneset duke ua shkurtuar afatin e pagesës së detyrimit tatimor në vetëm 10 ditë kalendarike.
Ai e konsideroi konfuz nenin 29, paragrafi 8, që lidhet me përcaktimin e personave obligues tatimor, duke cituar se barra tatimore përfshin edhe pronën e një personi tjetër.
Gjithashtu, Haradinaj kritikoi nenin 26, që shkurton të drejtën e kërkesës për kreditim dhe riimbursim nga 6 në 3 vite.
Për më tepër, ai theksoi se ligji ka anomali të tjera, siç është përcaktimi që çdo transaksion mbi 300 euro duhet bërë përmes llogarisë bankare.
Haradinaj shprehu shqetësimin se kjo do të krijonte vështirësi për operatorët ekonomikë që kanë nevojë për pagesa të vogla në përditshmërinë e tyre.
Ai përfundoi duke shprehur besimin se Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë këto shqetësime dhe do të mbrojë interesat e komunitetit të bizneseve nga politikat shkatërruese të Qeverisë Kurti.