Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, pati kërkuar nga opozita bartjen e buxhetit të pashfrytëzuar të vitit 2024, derisa këta të fundit nuk e votuan propozimin fillestar, po vetëm disa prej pikave të paraqitura nga kryetari.
Shefi i grupit të këshilltarëve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdyl Aliu, tha se votimi në Kuvend Komunal për ndarjen e mjeteve për kategoritë në nevojë u mundua të pengohet nga Vetëvendosje.
“Votimi në Kuvend Komunal për nxjerrjen e këtij vendimi për ndarjen e mjeteve për kategoritë në nevojë u mundua të pengohet pikërisht nga LVV duke e lëshuar seancën, mirëpo votuesi i Gjilanit i ka dhënë mjaftueshëm vota LDK-së sa të mos mund ta pengojnë përfaqsuesit e LVV-së në kuvend në vendime të mira si ky”, tha Aliu.
Madje, LDK-ja i quan tentim manipulimi dhe dezinformimi aludimet se kinse këta të fundit nuk po votojnë për ndarje të buxhetit për kategoritë që janë pjesë e këtij vendimi.
“Kjo është përgjigja ndaj tentimit për manipulim dhe dezinformim të opinionit nga Lëvizja Vetëvendosje-Gjilan, kinse LDK-ja nuk po voton për ndarje të buxhetit për kategoritë që janë pjesë e këtij vendimi”, theksoi ai.
Aliu, tutje tha se LDK do të vazhdoj të jetë gardian për mbrotje të ligjshmërisë dhe e keqpërdorimeve të buxhetit.
Ndryshe, opozita doli kundër propozimit fillestar të kryetarit të komunës, ashtu siç e paraqiti ai, por tha se është e gatshme t`i votojë kërkesat e shoqatave Handikos, “Pema”, Shoqatës së të Verbërve, të ndërmarrjes Tregu si dhe projektin e Varrezave të Dëshmorëve, ashtu siç i formuloi Nazim Gagica (AAK) dhe i mbështetën edhe nga Avdyl Aliu (LDK), Bujar Nevzati (PDK) e Kushtrim Kadriu (Vatra), përkatësisht anëtarët e këtyre subjekteve politike në Kuvend. /Telegrafi/