Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në seancën e sotme të Kuvendit ka folur për ikjen e mjekëve nga Kosova si dhe mungesën e anesteziologëve.
Para deputetëve, Latifi ka thënë se me këtë çështje si ministri janë duke u marrë vazhdimisht, ndërsa ka shtuar se një problem të tillë e kanë edhe Austria, Zvicra, Greqia e shumë vende të tjera, raporton Telegrafi.
“Në çdo moment jemi duke u marrë me këtë çështje. Javën e kaluar isha në Greqi, edhe atje është i njëjti problem. Po ashtu, Austria, Zvicra dhe shumica e vendeve po përballen me këtë problem, pra me largimin e punëtorëve shëndetësorë”, është shprehur ai.
Tutje, ministri ka thënë se çështja e anesteziologëve është injoruar edhe lënë pas dore për shumë vite, si shumë sektorë të tjerë të shëndetësisë.
“Kjo pasi vite me radhë, pra nga viti 2016 nuk është hapur asnjë konkurs për specializim nga anesteziologjia. Po të kishte ndodhur kjo, tashmë do të kishim dy gjenerata të anesteziologëve dhe s’do ta kishim këtë problem”.
Latifi tutje ka bërë të ditur se nga viti 2020 mungojnë 22 anesteziologë; 16 e kanë lënë punën, katër janë pensionuar si dhe dy të tjerë kanë ndërruar jetë. /Telegrafi/