Site icon Telegrafi

LVV sërish kundër, Kuvendi nuk e miraton tërheqjen e mjeteve nga Trusti

Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të votojë në lexim të parë Projektligjin, përmes të cilit synohet të lejohet tërheqja deri 30 për qind të mjeteve nga Fondi Pensional i njohur si Trusti.

Në momentin e votimit në sallë kanë qenë 101 deputetë, 97 prej të cilëve kanë votuar. Për kanë votuar 42 deputetë e 55 kundër.

Krijimi i mundësive ligjore, që qytetarët e Kosovës të tërheqin mjete të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale ka shkaktuar debat në Kosovë, me argumente për dhe kundër.

Ndryshe, në qershor të vitit të kaluar, përkundër debateve, propozimi për tërheqjen e këtyre kursimeve nuk është votuar nga shumica e deputetëve, me arsyetimin e se këto mjete financiare janë për moshën e pleqërisë.

Më 15 korrik 2022, në Kuvendin e Kosovës janë dorëzuar 21 mijë e 398 nënshkrimet e mbledhura nga organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve të Trustit.

Projektligji është përkrahur edhe nga dy partitë tjera opozitare; Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në anën tjetër, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër një tërheqjeje të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, duke thënë se shkatërrohet sistemi pensional.

Lexo po ashtu 21 mijë e 398 nënshkrimet e mbledhura për Trustin dorëzohen në Kuvend

Fillimisht Projektligji për Trustin ka dalë në votim në muajin qershor, por edhe atëherë është refuzuar nga LVV-ja. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare vazhdimisht e kanë kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së mjeteve nga Trusti.

Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia COVID-19, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.

Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti pati nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe pati zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.

Nga të dhënat e Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427 mijë e 371 kontribuues.

Qeveria e Kosovës ka marr vendim që ta shtyjë edhe për gjashtë muaj afatin për fillimin e rimbursimit të 10 përqindëshit deri në fund të muajit qershor 2023. Aplikimi për kthimin e mjeteve do të hynte në fuqi më 31 dhjetor 2022. /Telegrafi/

 

Exit mobile version