Site icon Telegrafi

Kuvendi me një minutë heshtje në nderim të intelektualit Ukshin Hoti

Kuvendi i Kosovës ka nisur sot punimet e seancës me një minutë heshtje në nderim të intelektualit Ukshin Hoti, në ditën kur janë bërë 25 vjet nga zhdukja e tij.

Më 16 maj 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.

Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Millosheviqit.

Për herë të fundit ishte arrestuar më 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar me 5 vjet burg.

Më 16 maj 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

Ndërkaq, në seancën e Kuvendit, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se përgjegjëse për zhdukjen e Hotit me dhunë është Serbia, raporton Telegrafi.

“Çka do që t’i ketë ndodhur intelektualit Hoti përgjegjësinë padyshim që e mban shteti okupator serb”, tha ai.

Konjufca tutje kërkoi nga që drejtësia ndërkombëtare, por edhe vendore të merret me rastin e Ukshin Hoti, zhdukjet me dhunë e vrasjet nga Serbia. /Telegrafi/

Exit mobile version