Site icon Telegrafi

Kushtetuesja nuk jep afat se kur do të merr vendim për Ligjin e Pagave

Gjykata Kushtetuese është duke proceduar kërkesën e Avokatit të Popullit, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat. Nga Kushtetuesja thonë se nuk kanë afat të caktuar për vendimmarrje. Nga shoqëria civile thonë se bazuar në standardet ndërkombëtare e kushtetuese, Ligji i Pagave mund të shpallet anti-kushtetues.

Pas 104 ankesave të pranuara nga subjekte të ndryshme të sektorit publik, Avokati i Popullit dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, që kishte hyrë në fuqi më 5 shkurt 2023.

“Kjo kërkesë aktualisht është duke u proceduar. Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast. Si çdo kërkesë tjetër të parashtruar nga institucionet, Gjykata është duke e trajtuar edhe këtë rast me seriozitetin dhe përkushtimin më të lartë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

E në kërkesën për interpretimin e kushtetuetshmërisë së ligjit të kontestuar, të cilën Avokati i Popullit e ka dërguar në Kushtetuese me 7 prill, ka theksuar se ankesat e palëve kanë të bëjnë me ulje pagash, heqje shtesash apo trajtim joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj. Në shenjë pakënaqësie me Ligjin e Pagave, ankesë tek Avokati i Popullit kishte dërguar edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.

Lexo po ashtu Ligji për Paga dërgohet në Kushtetuese

Kreu i kësaj sindikate, Imer Zeqiri tregon kërkesat që kanë karshi ligjit.

“Kërkesat për Ligjin e Pagave kanë qenë shtesa e rrezikshmërisë për zyrtarët policorë të uniformuar, shtesat tjera për orë jashtë orarit të punës gjatë vikendeve dhe ditëve të festave. Mandej kërkesë tjetër ka qenë që ne të kemi koeficient të barabar me FSK-në, sepse jemi dy institucione të sigurisë, dhe sipas ligjit ata tash kanë po thuajse dy koeficientë më shumë se sa ne në polici”, tha Zeqiri.

Ai thekson se duke mos dashur të ndërhyjë në punën e Gjykatës Kushtetuese, beson se kërkesat e tyre janë të pranueshme.

Juristi Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se është lajm i mirë procedimi për vlerësimin kushtetues i Ligjit për Pagat. Sipas tij, ky ligj mund të shpallet jo-kushtetues.

“Ajo çfarë mund të themi për këtë rast është se bazuar në standardet ndërkombëtare, Kushtetutën e Kosovës dhe standardet që i ka përcaktuar vet gjykata, në rastin e trajtimit të ligjit të kaluar për pagat, edhe ky ligj nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese. Por, jo domosdoshmërish Gjykata Kushtetuese mund ta anulojë gjithë Ligjin për Paga. Nëse gjen shkelje të caktuara, mund të vendos të anulojë vetëm dispozita të caktuara e jo në tërësi”, tha Shala.

Lexo po ashtu Avokati i Popullit tregon nenet kontestuese, shkaku i të cilave e dërgoi Ligjin e Pagave në Kushtetuese

Qeveria e Kosovës kishte vendosur që vlera e koeficientit të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 për vitin 2024.

Javë më parë Ministria e Punëve të Brendshme kishte njoftuar se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kanë filluar punën në korrigjimin e mospërputhjeve eventuale ndërmjet klasifikimeve që kanë qenë duke u zbatuar në sistemin e vjetër dhe në sistemin e ri të Ligjit për Pagat. /RTK/

Exit mobile version