Telegrafi

Kush nuk ulërin përpara skandaleve të arsimit, është bashkëfajtor

Nga: Donika Omari

Herë pas here u hedh një sy emisioneve të “TV Shkolla”. Së pari vërej një të metë që bie menjëherë në sy dhe që vështirëson ose pengon qysh në fillim përvetësimin e dijeve: në dërrasë të zezë, shkronjat, shifrat janë aq të dendura, aq të ngjeshura me njëra-tjetrën, aq të zbehta, aq të vogla, saqë nuk kuptohet se si mund të mësohet gjë në këto kushte. Pastaj fillon t’i vësh veshin nivelit të cilësisë së mësimdhënies, ku kreun e vendit për nga rëndësia e zë saktësia e të dhënave. Por, patjetër që ka rëndësinë e vet edhe mënyra se si përcillet mësimi nga mësuesi te nxënësit.

Do të doja të dija në bazë ç’kriteresh bëhet përzgjedhja e mësuesve që japin mësim te “TV Shkolla”? Ata s’duhet të jenë të mërzitshëm. S’duhet të jenë jo të zgjuar. S’duhet të jenë të papërgatitur për të përballuar ekranin televizi etj. Por, një pjesë e tyre janë të gjitha këto.

Një shembull se si nuk duhet të jetë jo i zgjuar mësuesi: për dije të padiskutueshme ai nuk mund të thotë “mendoj se”. Njësoj si të thotë “mendoj se formula e ujit është H2O”. Por, më e rënda, më e papranueshmja, më e rrezikshmja nga të gjitha këto është kur në vend të dijeve mësohet padije. Rasti i mëposhtëm më detyroi të mos ngurroj më të shkruaj për një skandal.

Po ndiqja shpjegimet e një mësueseje të filozofisë. Fliste për Sokratin. Sokrati, tha, vinte nga një familje e varfër. Ishte martuar me një grua të pasur, por bridhte rrugëve. Sokrati u mësonte dishepujve të thoshin gjithnjë të kundërtën e asaj që thoshte bashkëbiseduesi (dhe këtë e theksoi mirë duke e përsëritur disa herë: patjetër mendim të kundërt). Sokrati respektonte ligjin. Sokrati u dënua nga gjykatësit se shkeli ligjin (po derisa e respektonte ligjin, pse e shkeli?). Nxënësit deshën ta bindnin të arratisej duke korruptuar trupin gjykues. Por, Sokrati nuk pranoi, tha: le të zbatohet ligji i Athinës.

Për të parë ku çalojnë keqas këto shpjegime, nuk mjaftojnë njohuritë që kemi për këtë figurë të admirueshme të filozofisë së lashtë greke. I drejtohemi “Wikipedias”. Sokrati vinte nga një familje e kamur. Sokrati, bisedat me ithtarët i bënte duke ecur nëpër qytet. Sokrati u mësonte ithtarëve të vet të zhvillonin mendimin e pavarur, ndaj kujtdo, madje edhe ndaj perëndive. Në ç’mënyrë? Duke i bërë pyetje bashkëbiseduesit për gjërat që mbronte ky. Nga këto pyetje të zgjuara dilte vetvetiu e vërteta dhe tjetri e kuptonte se ku gabonte.

Pra, theksonte rëndësinë e dialogut. Por, për të arritur te dialogu, njeriu së pari duhej të pranonte padijen e vet. Kush di që s’di, ai e kërkon të vërtetën. Dhe, kjo arrihet nëpërmjet dialogut. Ky është thelbi i kontributit të këtij filozofi në revolucionarizimin e mendimit filozofik, që drejtonte gishtin te paragjykimet, te prapamendimet, te mashtrimet që mund të sillnin arsyetimet manipuluese të sofistëve. Shkurt, te shpëlarja e truve, po ta themi me termat e sotëm. Jo më kot Sokrati mbahet si ati i mendimit filozofik perëndimor.

Por, le të vazhdojmë me ‘xhevahiret’ e tjera të mësueses së filozofisë. Sipas saj, Sokrati u dënua me vdekje se shkeli ligjin. Në fakt, dënimi me vdekje u bazua në akuzën se nuk besonte në perënditë tradicionale dhe se me mendimet e tij korruptonte rininë dhe e shpinte drejt mosbindjes civile. Vendim që ndofta u nxit ngaqë ndër ithtarët e Sokratit kishte shumë aristokratë armiq të pushtetit në fuqi. Tjetër shpjegim i mësueses: Nxënësit donin të korruptonin trupin gjykues. Në të vërtetë donin të korruptonin rojet e burgut. Pse s’pranoi të arratisej? Sipas mësueses, se tha: le të zbatohet ligji i Athinës. Sipas Platonit, përgjigjja e Sokratit ndaj ithtarëve të vet para vdekjes, është: “Kur ligji është i drejtë, ai duhet zbatuar edhe kur njerëzit e zbatojnë me të padrejtë”.

Ky njeri i admirueshëm e përdori edhe vdekjen e vet për të vazhduar t’u përcillte ithtarëve vlera dinjiteti njerëzor.

Po ç’këshillon ky Sokrati i mësueses që mëson nxënësit shqiptarë?

Këta duhet vetëm të kundërshtojnë. Shumë shqiptarë që e kanë shpirtin e kundërshtimit të rrënjosur thellë, duket sikur kanë ndjekur mësime të tilla të mbrapshta. Dhe, prandaj është kaq i vështirë te ne dialogu. Kjo mësuese mund ta komentonte figurën e këtij filozofi kaq të rëndësishëm e kaq aktual, duke e lidhur mendimin e tij filozofik me problemet tona të sotme. Por, për këtë duhej ta kishte kuptuar. Dhe, po ta kishte kuptuar, do ta kishte admiruar e kështu do t’u ngjallte nxënësve një frymëzim të shëndetshëm për të ndjekur shembuj të tillë për të cilët kemi aq shumë nevojë sot.

Nuk është e vetmja kjo mësuese që mëson gabim. Një mësuese historie Lepanton e vendos në Itali. Një tjetër thotë për Agronin dhe Teutën e Ilirisë se ata kishin një flotë të fuqishme që kontrollonte Mesdheun dhe rivalizonte me Romën. Kur, sipas historisë, në Adriatik e në Mesdhe ishin piratët ilirë ata që i binin kryq e tërthor Mesdheut e ishin bërë tmerri i tregtarëve romakë dhe që Teuta i lejonte të plaçkitnin sepse shteti ishte i varfër dhe pirateria ishte një zgjidhje. Një shtet i varfër e i vogël s’ndërton dot një flotë të fuqishme që, aq më tepër, rivalizon me fuqinë më të madhe të kohës.

Është e habitshme se si s’ka një reagim të prindërve për këto të meta kaq skandaloze të këtij emisioni (një arsye e fortë për prindërit për t’u larguar nga vendi është edhe gjendja e mjerueshme e arsimit). Edhe më skandaloze është mungesa e kontrollit nga ana e Ministrisë së Arsimit. Po edhe në përgjithësi e institucioneve, e shoqërisë civile, e ushtrisë së mësuesve, e gazetarëve, e intelektualëve, e akademikëve, e studiuesve etj. Një gjendje e tillë e arsimit, i cili përgatit të ardhmen, është ulëritëse.

Do të doja të më bashkoheshin zëra të tjerë, që të ulërinim së bashku, se siç thotë një gazetar italian i revoltuar ndaj indiferentizmit: “Kush nuk ulërin përpara skandaleve, është bashkëfajtor”.