Organizata terroriste al-Qaeda po përgatitet të bëhet përsëri një kërcënim për botën, siç ishte gjatë sulmit në New Jork më 11 shtator të 2001.
Arsyeja është ardhja e një udhëheqësi të pamëshirshëm, i cili ka nofkën “Shpata e Hakmarrjes” gjersa shërbimet e inteligjencës thonë se është më i keq se Osama bin Laden, ish-udhëheqësi i al-Qaidas.
“I eturi për gjak, Saif al-Adel besohet të jetë udhëheqësi i ri i al-Qaidas dhe të rekrutojë luftëtarë të Shtetit Islamik, si dhe të provokojë frikën e mizorive në të gjithë Perëndimin. Ai është një ish gjeneral egjiptian, i cili besohet të jetë një strateg gjenial dhe i pamëshirshëm gjersa do të marrë drejtimin e organizatës nga Ayman Zawahiri”, shkruan gazeta britanike mirror.
Një ekspert i lartë britanik i terrorizmit i tha gazetës se, në krahasim me Zawahirin, “Al-Adel është një udhëheqës shumë më efektiv, të paktën është i barabartë me Osama bin Ladenin, nëse jo më i rrezikshëm se ai”.
Thashethemet se Zawahiri ka të ngjarë të ketë vdekur do të thotë që shërbimet e inteligjencës nga perëndimi do të duhet të kujdesen për riorganizimin e al-Qaidas, duke marrë parasysh se Saif, i cili ka një bazë në Iran, është shefi i ri.
“Spiunët britanikë dhe amerikanë kanë ndjekur lëvizjet e Saifit për vite me radhë sepse ishte i përfshirë në çdo sulm të al-Qaedas që ka ndodhur në tre dekadat e fundit”, shtoi teksti.
Xhihadisti egjiptian, veterani Ayman Zawahiri, mori drejtimin pas vrasjes së Bin Ladenit në vitin 2011, por vështirë se është dëgjuar për vite me radhë.
Ish-eksperti i antiterrorizmit i FBI-së, Ali Sufan shkroi se Saif mund të ishte “emiri i tretë i al-Qaidas” me tre dekada përvojë në atë organizatë.
Shtetet e Bashkuara tashmë po ofrojnë 10.5 milionë dollarë për informacionet në lidhje me Saifin, i cili kërkohet për bombardimin e ambasadës amerikane në Nairobi dhe Dar es Salaam, kur u vranë 224 njerëz.
Saif drejtoi “Gardën e Zezë” personale të Bin Ladenit, një njësi mbrojtëse në Afganistan, e cila u emërua pas shamive të zeza. /Telegrafi/