Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar replikat me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi njërën prej kushteve të vendosura nga Kurti për Asociacionin, përkatësisht atë për çarmatosjen e veriut.
Në replikën ndaj kryetarit të LDK-së, Kurti e kritikoi atë për mungesë të ideve.
Kurti tha se Lumir Abdixhikun dhe deputetin tjetër të LDK-së, Avdullah Hoti, i ka pasur ministra në Qeveri, por që sipas tij asnjëherë nuk kanë dhënë ndonjë ide për ndërhyrje policore në veri.
Ai më tej ka ironizuar me deputetët e LDK-së duke thënë se nuk bëjnë as sa çereku i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Ju falënderoj që i dëgjuat 6 kushtet dhe që nuk dhatë mendimet për heqjen e ndonjërit me përjashtim të deputetit Abdixhiku, i cili nuk po e kuptoj a po sugjeron që të hyjmë me forcë ne veri?”, u shpreh Kurti.
“Deputetin Abdixhiku e kam pasur ministër, edhe deputetin Hoti zëvendëskryeministër, me ju tregua diçka, zëvendësi Bislimi dhe ministri Murati cilido prej këtyre, këta dy bashkë [Abdixhiku dhe Hoti] nuk janë as çereku i tyre”, ka thënë Kurti, raporton Telegrafi.
Tutje ai ka thënë se idetë e LDK-së “dirigjohen nga karrigia”.
Kurti iu referua vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e cila kishte bërë të ditur se marrëveshja ishte në kundërshtim me 22 pika të frymës kushtetuese.
Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen. /Telegrafi/