Kryeministri Albin Kurti është shprehur se për herë të parë në Kosovë është bërë unifikimi i pagës në sektorin publik.
Gjatë konferencës vjetore të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Kurti ka thënë se me Ligjin për Paga dallimi mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët ka rënë në mënyrë drastike.
“Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në sektorin publik në fillim të këtij viti, në Republikën e Kosovës për herë të parë kemi një sistem të unifikuar të pagës dhe po mënjanohet pabarazia drastike në pagë se çfarë ishte. Në programin qeverisës, dallimi në pagën më të lartë dhe asaj më të ulët nga 20 herë sa ishte dikur, tani është zbritur në 4.78 herë”, është shprehur Kurti, përcjell Telegrafi.
Më 22 dhjetor 2022, Ligji për Paga ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik, ndërsa më 4 janar ishte dekretuar nga Presidenca.
Vlera e koeficientit për vitin 2023 do të jetë 105 euro, ndërsa për vitin 2024 pritet të jetë 110 euro. Koeficienti më i lartë, 18, i takon vetëm presidentit të Kosovës, derisa më i ulëti është 2 dhe ai iu takon pozitave për rekrut/kadet të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, doganor dhe korrektues. /Telegrafi/