Site icon Telegrafi

Kurti në veri: Ura do të hapet për të mirën e të gjithëve, po presim koordinimin e QUINT-it me KFOR-in

Kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se Ura e Ibrit duhet të hapet, duke nënvizuar se kjo masë nuk është kundër askujt, por për përfitimin e të gjithë qytetarëve.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një vizite në veriun e Kosovës të martën.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar hapjen e kësaj ure prej disa muajsh, megjithëse ideja është kundërshtuar nga ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë që çështja të zgjidhet përmes dialogut. Aktualisht, Ura e Ibrit është e hapur vetëm për këmbësorët.

Sipas Kurtit, hapja e urës ka rëndësi të madhe për imazhin ekonomik të vendit dhe për lirinë e lëvizjes.

“Liria e lëvizjes duhet të respektohet. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2016 parashikon që ura të hapet deri më 2017, dhe tani është koha për ta realizuar këtë. Hapja nuk është kundër dikujt, por për të mirën e të gjithëve”, ka deklaruar Kurti.

Ai shtoi se kjo do të kontribuojë edhe në fluksin e kapitalit dhe mallrave.

Kurti vuri në dukje se hapja e urës është për të gjitha komunitetet e Kosovës, duke përfshirë serbët, boshnjakët dhe shqiptarët, të cilët duhet të lëvizin lirshëm në atë zonë.

“Ne nuk duam ta hapim urën kundër serbëve, përkundrazi! Duam që të gjithë të lëvizin të lirë,” ka thënë ai.

Gjatë vizitës, Kurti mori pjesë edhe në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për stacionin policor në Leposaviq./Telegrafi/

Exit mobile version