Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot (e diel) në takim këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa, e cila ka ardhur në Kosovë me rastin e edicionit të tretë me radhë të Festivalit Sunny Hill.
Kreu i Qeverisë e përgëzoi yllin botëror për suksesin e saj fantastik dhe e vlerësoi të veçantë zërin, muzikën dhe performancat e saj në skenat botërore.
Ai e falënderoi për përfaqësimin dinjitoz dhe promovimin e vlerave artistike të Kosovës kudo në botë.
Kontributi që keni dhënë e po jepni për Kosovën është i pamatshëm – citohet të ketë thënë Kurti.
Këngëtarja e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe ritheksoi angazhimin dhe përkushtimin e saj për promovimin e artistëve dhe talentëve tanë, si dhe për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në takim ishte i pranishëm edhe babai i Duas, Dukagjin Lipa, me të cilin biseduan rreth mbarëvajtjes së Festivalit Sunny Hill, që përmbyllet sonte.
Lipa ka thënë se ky edicion i festivalit ka zgjuar interesim jashtëzakonisht të madh të të rinjve nga e gjithë bota. Ai shtoi se gjatë tri netëve të festivalit kanë qenë të pranishëm të rinj nga 60 shtete.