Site icon Telegrafi

Kurteshi pas intervistimit: Qëndroj prapa deklaratave që kam dhënë, ka dëshmi që vërtetojnë bindjen time se Astrit Dehari është vrarë

Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje është paraqitur sot në Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale.

Kurteshi është paraqitur në Departamentin e Hetimeve rreth deklaratave që i ka bërë në lidhje me rastin e Astrit Deharit.

Ai në një prezantim para mediave tha se pyetjet ishin lidhur me prononcimin e tij të 12 gushtit.

“Ka qenë një paragraf i përdorur në konferencën për media dhe komunikatën që e ka shpërndarë nga Vetëvendosja që ka të bëjë me implikimin dhe urdhrat e dhëna nga maja e shtetit për institucionet e drejtësisë dhe sigurisë në Republikën e Kosovës…Thelbi i pyetjeve dhe i çështjes ka qenë ai sot dhe unë jam përgjigjur në të gjitha pyetjet…” shtoi Kurteshi.

Ai tutje tha se mban përgjegjësi për çdo fjalë që ka thënë për rastin Dehari.

“…Jam i bindur dhe ka shumë fakte që i dhashë në prokurori se implikimi i funksionarëve të majës së shtetit bashkë me institucionet varëse të sigurisë dhe drejtësisë është i dukshëm nga të gjitha dëshmitë, provat, dokumentet, deklaratat që deri sot janë në dorë të publikut dhe institucioneve”, tha ai.

Kurteshi tha më tej se janë mbi 3 mijë faqe dokumente të ndryshme në lidhje me rastin Dehari, ku sipas tij, aty ka me qindra dëshmi e fakte që vërtetojnë bindjen e tij se rasti i Astrit Deharit është vrasje e plotë, e drejtpërdrejtë me urdhër nga lartë.

Ndërkaq, avokati Tomë Gashi tha se prokurori që e ka pas rastin rreth katër vite Afrim Shefkiu nuk është përgjigjur në kërkesat e tij si përfaqësues ligjor i familjes Dehari dhe për këtë nuk ka njoftim zyrat se çka ka ndodh me mostrat e Astrit Dehari.

Ai tutje tha se prokurori Afrim Shefkiu së paku në vitet e fundit ka qenë hermetikisht i mbyllur.

Gashi njoftoi se është prokurori i katërt në rastin Dehari që po pensionohet, ndërkaq tashmë prokurori i ri është Bekim Kodraliu.

“Është mirë që sot prokurori ka qenë prezent…”, tha ai, gjersa shtoi se prokurorit të ri do t’i lënë kohë që të njoftohet me lëndën dhe presin që të mos veprojë si të tjerët.  /Telegrafi/

Exit mobile version