Luan Rama
Një nga emrat më të njohur të letërsisë amerikane të shekullit XX është padyshim Scott Fitzgerald (1896-1940), autori i romanit të famshëm “Gatsby i madh”, apo siç është përkthyer në frëngjisht “Gatsby i mrekullueshëm”, një roman i ekranizuar bukur me aktorin Leonardo di Capri dhe një histori ku gjen diçka nga vetë historia personale e këtij autori. Por ashtu si tek Heminguei, Miller, Dos Pasos dhe amerikanë të tjerë të zbarkuar në Paris në vitet ’20-’30, koha e tyre parisiane la gjurmë të pashlyeshme në jetën dhe krijimtarinë e tyre, kohë kur ata do të shkruanin një pjesë të mirë të letërsisë së tyre.
Aty hodhën hapat e para si shkrimtarë edhe Heminguei, Miller, Pound, Anderson, etj. Kur djaloshi nga Minesota, Scott Fitzgerald erdhi në Paris, ai gjeti një komunitet amerikanësh që i ishin larguar puritanizmit amerikan për tu endur në kafenetë e bordellot e Montmartre-s dhe të Montparnasse-it, duke përfaqësuar atë në të cilën ngulte këmbë estetja amerikane Gertrude Stein “Gjenerata e humbur”. Kur mbërriti në Paris me gruan e tij të re dhe një vajzë të vogël, Fitzgerald u vendos në 14, Rue de Tilsitt, një apartament fare afër Harkut të Triumfit.
Në fillimin e viteve ’90 kisha shkuar shumë herë në ambasadën belge që ishte në atë rrugë, por atëherë nuk e dija se Fitzgerald kishte banuar disa hapa më tej. Këtë do ta mësoja më vonë.
Pikërisht në Paris Fitzgerald do të merrte vesh botimin e romanit të tij në Amerikë “Gatsby i mrekullueshëm”, i botuar në 75.000 kopje, por që shumica e ekzemplarëve nuk u shit dhe vite më vonë shtëpia e botimit u detyrua ta tërheqë nga libraritë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore “Gatsby” u harrua dhe vetëm një ribotim i viteve ’50 do ta nxirrte atë në skenën e kritikës letrare amerikane e botërore.
Por Fitzgeraldi kishte kohë që kishte vdekur, që më 1940, në një moshë të re, 44 vjeçare. Pikërisht atëherë biografët filluan të interesohen për të dhe jetën e tij. E padyshim, epoka parisiane ishte nga më të habitshmet, plot legjenda, skandale alkolike, por jo vetëm ai, pasi gruaja e tij Zelda ishte një person depresiv që shkrimtarit të ri i krijonte veç probleme, ndërkohë që ai kishte një etje të jashtëzakonshme për të shkruar, pasi shkrimi për të ishte i identifikuar me paranë, fitimin, ekzistencën.
Si tek Gatsby, edhe atij i pëlqente shoqëria e lartë edhe pse vetë ai vinte nga një familje modeste, por përmes studimesh në një shkollë me të pasur, ku ai kishte mundur të ngjiste shkallë drejt shoqërisë së lartë. Kishte qene gjithnjë ai djali i varfër mes të pasurve… E padyshim, joshja ndaj parasë ishte e madhe. Megjithatë, ai kishte dhe një vështrim kritik ndaj kësaj lloj shoqërie që shkonte deri në ekstreme dhe krime, duke e shkatërruar shpirtin njerëzor.
Siç do të shkruajë dhe Zelda për Fitzgerald pas vdekjes së tij, “ajo çka tregon jeta e tij është se ai diti ta dramatizojë trishtin dhe zhgënjimin e një epoke, duke arritur që me kurajon që i dha kësaj epoke, ai i dha njëkohësisht dhe arësyen që ajo të përjetohej.”…
Ardhja e Fitzgerald në Francë nis me një histori dramatike, pasi ata shkuan fillimthi në jug të Francës, në qytezat me diellin e Côte d’Azur, ku Zelda, vajza nga Alabama ra menjëherë në dashuri me një pilot francez dhe pas skandalit ajo donte të vriste veten. Kështu çifti Fitzgerald iu drejtua Parisit, ku u vendosën në vitin 1925.
Ende pa marrë vesh për botimin e romanit “Gatsby i mrekullueshëm” në Amerikë, në ditarin e tij Scott kishte shkruar: “Nëse ky roman do më sjellë para unë do vazhdoj të jetoj me profesionin e romancierit, por nëse jo, atëherë do të kthehem në Amerikë për të punuar skenarë për kinematografinë hollivudiane…”
Amerikani i parë që takoi në Paris është Heminguei, prej të cilit kishte lexuar në revistat amerikane tregime të ndryshme dhe ishte aq i entusiazmuar nga letërsia e tij sa që e çmonte si shkrimtarin më të madh të kohës.
Në Paris, Heminguei u bë një nga miqtë më të afërt të tij.
Ai e adhuronte, edhe pse ndërkohë “Hemi” siç e quanin miqtë, nuk kishte botuar ende një roman, por veçse novela. Ishte ai që e çoi dhe tek libraria amerikane “Shakespeare and Company” e drejtuar nga Silvya Beach, njëkohësisht botuesja e Joyce, tek e cila filluan tê mblidheshin autorê tê shumê amerikanê gjer dhe vetê Witmann.
“Një herë në “Closeries de Lilas – kujtonte Hemi, – Fitzgerald më tregonte sesi i shkruante novelat, të cilat në fakt ishin shkruar mirë për revistën “Post” dhe se si pastaj i ndryshonte për t’i bërë tekste të publikueshme në revista të tjera që të fitonte para. Atëherë u skandalizova dhe i thashë se kjo ishte një punë kurvash. Ai më pohoi se vërtetë ishte i detyruar të vepronte në këtë mënyrë dhe të bënte këtë lloj pune, pasi me romanin s’po fitonte para, kurse me to fitonte shumë, që të mund pastaj të punonte për libra të mirë…”
Hemi kujtonte gjithashtu dhe një rast kur bashkë me Scott kishin shkuar në Lyon për të marë një makinë dhe në kthim, afër Châlon-sur-Saône, ata kishin ndalur në një hotel. Ishin lagur nga një rrebesh i madh dhe Scott ishte shtrirë i trembur se mos kishte marrë plevitin. Ai i thoshte mikut të tij se ndoshta mund të vdiste dhe kishte hall se kush do të kujdesej më pas për Zeldën dhe vajzën e vogël, Scottie. Por Hemi mundohej ta qetësonte, madje dhe ti thoshte se dhe ai kishte për të mbajtur gruan e tij Hadley dhe djalin Bumby. “Megjithatë i thashë se do të kujdesesha që Zeldën që të mos pinte alkoole dhe që vajza të kishte një guvernante”.
Kjo histori vazhdoi dhe të nesërmen, dhe Scott ishte në një gjendje paniku, madje nuk pranonte as treguesin e termometrit që gjithçka e tregonte normale në trupin e tij. Në kthim drejt Parisit, Fitzgerald i kishte dhënë një nga kopjet e librit Gatsby i mrekullueshëm. “Kur e mbarova romanin, – kujtonte Heminguei, – kuptova një gjë: se pavarësisht si kishte arritur ta shkruante atë, unë duhej ta ndihmoja si i sëmurë që ishte, pasi isha miku i tij…”
Midis Hemingueit dhe Zeldës kishte një lloj antipatie të fshehtë. Ajo nuk e donte figurën mashkullore të Hemingueit, ndoshta pse e krahasonte me atë të Scott. Dhe Hemingueit i dukej se ishte pikërisht ajo që e shtynte të shoqin të pinte. Mos vallë nuk donte që ai të ishte i famshëm, kurse ajo, e cila kishte lënë baletin prej gjashtë vjetësh, kishte mbetur një grua e zakonshme, që vetëm bridhte nga një lokal në tjetrin? Megjithatë Hemingueit nuk i pëlqente që Scott të ishte kaq shumë i dhënë pas parasë.
Në fakt Scott ishte shumë bujar. Kur pinte e hidhte paranë si të ishte një milioner. Një portieri në një restorant i dha 500 franga që thjesht ti thërriste një taksi, ndërsa orkestrës, i kishte dhënë njëmijë franga që ti binin një pjese që i pëlqente atij… Në atë kohë, Fitzgerald dhe Heminguei shkonin shpesh në shtëpinë e Gertrud Stein që banonte në 27, Rue Fleurus. Ishte Heminguei që e kishte prezantuar tek ajo.
Estetja amerikane që jetonte në ato mure mbushur me tablotë e Matisse, Picasso, Cezanne, Renoir, El Greco, etj, e çmonte shumë Heminguein, por kur lexoi romanin e Fitzgerald, filloi të bënte krahasime me atë çka shkruante Heminguei. Dhe kjo Hemingueit nuk i pëlqente pasi ajo e vinte mbi të. Sidoqoftë dy miqtë shkrimtarë e vlerësonin njëri-tjetrin. Kur Heminguei botoi “Lamtumirë armë”, kjo gjë e gëzoi shumë Fitzgeraldin, edhe pse Zelda veçse e shante mikun e tij të ngushtë. Por ai e ndaloi që ta shante.
Ndërkohë Fitzgerald filloi të shkruante një roman të ri, duke iu kthyer ngjarjeve të Luftës së Parë Botërore dhe veçanërisht betejës së Marnës. Disa vjet më vonë ai botoi “E ëmbël është nata”, një roman që u prit shumë mirë nga kritika amerikane dhe shkrimtarët francezë.
Por në Paris, Scott dhe Zelda u bënë të njohur për skandalet e tyre me njëri-tjetrin. Jeta e tyre ishte me përplasje, dramatike, tragjike. Njëherë, kur Heminguei ishte operuar në spitalin amerikan në Neuilly, i trembur Fitzgerald e kishte pyetur nëse kishte frikë nga vdekja. “Varet nga momenti, – i ishte përgjigjur me të qeshur Heminguei, i cili e dinte se Fitzgerald bënte nganjëherë si fëmijë. Një herë tjetër, siç kujtonte Heminguei, bashkë me gruan i kishin ftuar në apartamentin e tyre në “Rue Tilsitt”. Por atë natë Zelda u rrinte gjithë turinj dhe nuk e hapi gojën.
Një mbrëmje më parë kishin qenë të dy në një klub në Montmartre. Zelda i kishte kërkuar të pinte që të ishin në qef të dy por Scott i thoshte se s’donte të pinte se kishte shumë për të shkruar dhe se duhej të punonte. Por Zelda donte qefet e veta dhe i bënte skandale. E megjithatë ai e donte shumë dhe ky trisht i përhershëm e shtynte të pinte shumë, veçanërisht në mbrëmje. Hynte në një lokal dhe dilte tek tjetri.
Shpesh, në mes të natës, Fitzgerald shfaqej në portën e shtëpisë së Hemingueit dhe e kërkonte që ta kalonin natën bashkë, nëpër lokalet parisiane. Por kjo u përsërit shumë herë, aq sa për Hemin u bë diçka e bezdisëshme. Atij i vinte keq për të.
Në librin e tij “Parisi një festë e pambarimtë”, Hemingway kujtonte një nga ditët kur Fitzgerald i kërkoi të takoheshin sa më shpejtë sepse kishte diçka të rëndësishme për të biseduar. Dhe ata u takuan në restorantin “Michaud”, në Rue de Saintes-Pères, ngjitur me Saint-Germanin-dès-Près.
Pasi pinë pak verë, Fitzgeraldi i hapi zemrën mikut të tij: “- Ti e di që unë s’kam shkuar me asnjë femër tjetër përveç Zeldës. – Jo, nuk e dija. – Kujtoja se ta kisha thënë! – Më ke thënë gjëra të tjera por jo këtë. Pa hë?! – Zelda më ka thënë se nisur nga anatomia e trupit tim, unë s’mund të bëj dot të lumtur një femër tjetër. Eshtë çështja e madhësisë.
Që kur ajo ma tha këtë unë nuk e kam dashur veten dhe dua të dij nëse është kështu apo jo? – Shkojmë në banjo atëherë! – i thashë. – dhe ne shkuam dhe u kthyem përsëri në tavolinë. – Ti je plotësisht normal. S’ke asgjë që nuk është në rregull. Po ta shikosh nga lart atë “mikun” e shikon të vogël. Shko në muzeun e Louvre dhe shikoi statujat, pastaj shko në shtëpi dhe shikoje atë në profil me një pasqyrë. – Po përse atëherë ajo ma ka thënë këtë? – Që të mos shkojë mendja të shkosh me ndonjë femër tjetër.
Po ti ndërkohë mund të ishte konsultuar një mjek. – Jo, nuk kam dashur. Doja që ti të më thoje të vërtetën. – Po tani a më beson? – Nuk e di. – Atëherë eja të shkojmë në Louvre…” Dhe siç tregon Heminguei, ata shkuan në muze. Fitzgerald shikonte statujat dhe përsëri kishte dyshime. “- Në fakt nuk është çështje madhësie kur ai është në qetësi, – kishte shtuar Heminguei. – Eshtë dhe puna e këndit, – dhe unë i tregova si të përdorte ndonjë jastëk dhe truke të tjera…”
Në vitin 1927, Scott bashkë me Zeldën dhe vajzën e tyre Scottie, u nisën në Amerikë, por gjendja atje i trishtoi shumë. Jeta ishte bërë shumë e vështirë. Në një intervistë me një gazetar amerikan, Scott ishte shprehur se “Ajka e Amerikës shkon drejt Parisit. Eshtë diçka e zgjuar për një njeri inteligjent të jetojë në një vend inteligjent. Franca ka dy gjëra që na duhen: inteligjencën dhe sjelljen e mirë”. Por shpejt ata do të nisen përsëri drejt Parisit, apo në Côte d’Azur.
Zelda vazhdonte të ushtrohej për baletin. Ajo tashmë ishte 28 vjeçare. Nga ana e tij Scott vazhdonte të punonte për një roman të ri. “Mbrëmë isha i entusiazmuar nga takimi me James Joyce që na ardhi për darkë në shtëpi…” – shkruante në ditarin e tij Fitzgerald. Me këtë rast Joyce i kishte dhuruar një kopje të botimit të romanit të tij “Ulysse” (Uliksi). Por Zelda nuk e donte as irlandezin Joyce… Zelda donte vetëm Scott-in dhe mundësisht të dehur.
Padyshim që jeta e Fitzgerald në Paris ishte një lloj deliri, punë dhe pije, kohë kur banonte në Rue Vaugirard, kur dilte në dritare dhe i entusiazmuar bërtiste: “Unë jam Volter!”, “Unë jam Rousseau!”. Njëherë tjetër, ai kishte parë në rrugë dy xhandarë me biçikleta dhe i kishte ndalur ata, duke u kërkuar tu blinte biçikletat.
Xhandarët ishin tërbuar, pasi kujtuan se ai po tallej me ta. Donin ta arrestonin, por një miku i tij francez, Chamson, u tha se ishte i pirë dhe se Scott ishte një shkrimtar shumë i madh amerikan.
Lokalet e tij të zakonshme ishin në bulevardin Montaparnasse, në “Dôme”, “La Coupole”, ku përgjithësisht mblidheshin amerikanët e zbarkuar në Paris, në “Le Selecte”, “Closeries de Lilas”, apo në Saint-Germain-dès-Près tek “Lipp” dhe “Les Deux Magots”, pa harruar kabaretë e Montmartre-s… Një nga kabaretë ku ai shkonte më shumë ishte “Bricktop’s” që mbahej nga një këngëtare zezake, pasi atij i pëlqente shumë xhazi, i cili po i tërhiqte gjithnjë e më shumë francezët e “La Belle Epoque”.
Një mesnatë, i pirë, kishte shkuar në redaksinë e “Paris-Tribune” ku ishin gazetarët amerikanë, ishte ulur në tavolinë, kishte grisur kopjen e shkrimit të tij dhe pastaj kishte hipur mbi tavolinë, duke kërkuar që të gjithë të këndonin me të. Më së fundi, gazetarët e kishin marrë dhe me forcë e kishin çuar deri në shtëpinë e tij. Po ata asnjëherë nuk ia vunë re sjelljen e tij.
Të gjithë e donin të mirin Scott. Por gjithë këtë e rëndonte padyshim gjendja e Zeldës, e cila po kalonte një depresion të gjatë. Miqtë e Scott tregonin se një herë, duke ardhur drejt Parisit me makinë, Zelda kishte marrë makinën dhe donte të përplasej diku. Scott ishte skandalizuar, por Zelda i thoshte se nuk e komandonte dot makinën. Më së fundi ata kishin shpëtuar fatmirësisht nga ajo katastrofë e paralajmëruar.
Zelda nisi të marrë kurse dansi me një profesoreshë ruse, meqë ëndërronte të dilte një ditë në skenë, në një spektakël madhështor. Kjo pamundësi e bënte të vuante nga deliret. Njëherë, në vitin 1929, në kohën e “depresionit ekonomik” dhe të “crash of “Wall Street”, duke shëtitur, Zelda i thoshte Fitzgeraldit se po dëgjonte lulet që i flisnin. Ata kishin shkuar në tregun e luleve të Parisit, por thëniet e saj ishin një delir i vërtetë.
Në raportin mjeksor të klinikës ku ajo u shtrua, shkruhej se “ajo pëshpërit vazhdimisht: “është e tmerrshme, çdo të bëhet me mua, unë dua të punoj por s’do mundem, duhet të vdes e megjithatë dua të përgatitem për të interpretuar balet… jo, nuk do të shërohem kurrë… Duhet të shoh Zonjën…” E diagnostikuar me skizofreni, në një klinikë tjetër ai shkroi romanin gjysmë-biografik “Më lejoni ta vallëzojmë këtë dans”, ku përshkruan gjithashtu jetën e saj të turbullt parisiane.
Këtë gjendje të nderë e ndjen dhe në letrat që Scot i dërgonte Zeldës, ku në njërën prej tyre, ai i shkruante: “Në të kaluarën, ti dhe unë kemi njohur ditë të mrekullueshme por e ardhmja do të jetë edhe më e bukur nëse ti nuk do të jesh melankolike e të mos përpiqesh ti shohësh gjërat ndryshe. Asgjë nuk e justifikon trishtimin tek ty. Ne s’kemi qenë të lumtur vetëm një herë, por njëmijë herë.
Siç thuhet dhe në këngë, pranvera, si për të gjithë, edhe për ne është një shans i shkëlqyer e unë në këto çaste e kam në dorë pothuaj gjithë opinion letrar bashkëkohor dhe ndërkohë shoh të notojë një mjellmë që më duket se je vetë ti. Ah, Mjellma ime, noto ngadalë, sepse ti je mjellmë, sepse përmes linjës së mrekullueshme të qafës tënde perënditë të kanë bërë një favor të veçantë që edhe pse e ke krisur duke u goditur në një urë të vogël, plaga të është shëruar dhe ti vazhdon rrugën tënde.
Harroje të kaluarën aq sa mund të harrosh dhe kthehu e eja drejt meje, drejt kësaj strehe paqeje që është tëndja përgjithnjë, edhe pse ndonjëherë mund të të ngjajë me një guvë të errët të ndriçuar nga ura zjarri të hazdisura; është streha më e mirë për ty. Ktheuhu ngadalë në ato dallgë ku po noton dhe eja. Kjo ngjan me një lloj alegorie, por në fakt është reale.
Dua që ti të jesh kështu. Trishtimi i së kaluarës nuk më ndahet asnjëherë. Gjërat që kemi bërë sëbashku, zënkat e së kaluarës n’a kanë kthyer në njerëz të thyer, por që i kemi mbijetuar kësaj lufte, e cila tashmë ka mbetur si një atmosferë përreth çdo shtëpie ku unë jetoj…”
Pas një qëndrimi pothuaj një vjeçar në shtëpinë e tyre në Rue Pergolese, pranë “Bois de Boulogne”, çifti Fitzgerald u largua nga Parisi, dhe padyshim, vitet parisiane do të ishin për Fitzgerald vite nostalgjie dhe një lëngim i trishtë e i gjatë… Në Paris ka një restorant lluksoz me emrin “Fitzgerald” në avenue La Tour Maubourg, në kujtim të autorit amerikan. Dikur kam banuar dy hapa pranë tij dhe asnjëherë s’kisha hyrë atje, por ky shkrim më bëri të shkoj ta shoh.
Eshtë pjesë e atij itinerari parisian të jetës së Fitzgerald, nga “Hôtel St. James” në Rue Saint-Honoré apo “Hôtel des Deux Mondes” në avenue de l’Opera e pastaj në Rue Tilsitt, Rue Vaugirard apo Rue Pergolese gjer në largimin e tij nga Parisi më 1931… Kudo ruhet me nostalgji kujtimi i këtij shkrimtari që iku tepër i ri nga kjo botë.