Përveç Ballkanit, fazën play-off të Ligës së Konferencës e kanë siguruar edhe dy klubet e tjera shqiptare, Partizani nga Shqipëria dhe Struga nga Maqedonia e Veriut.
Struga e Shpëtim Duros po jeton një ëndërr në debutimin e saj në arenën evropiane. Skuadra kampione e Maqedonisë së Veriut, arriti të siguronte mbrëmjen e sotme kualifikimin në play-off të Ligës së Konferencës, duke kaluar Hesperangen nga Luksenburgu.
Pengesa e fundit e Strugës do të jenë islandezët e Breidablik që u eliminuan mbrëmjen e sotme nga boshnjakët e Zrinjski me rezultatin e përgjithshëm 6-3.
Struga do të zhvillojnë takimin e parë si vendas dhe shanset për kualifikimin në grupet e Ligës së Konferencës duken reale për skuadrën shqiptare.
Është moment historik edhe për Partizanin, që do të luajë për herë të parë play-off të një gare evropiane. Kampionët e Shqipërisë, eliminuan mbrëmjen e sotme letonezët e Valmieras, ndërsa pengesa e fundit është Astana, skuadra kampione të Kazakistanit, që mbrëmjen e sotme u eliminua nga Ludogorets.
Partizani ndeshjen e parë e luan si mysafir dhe shanset e tyre për të shkuar në grupet e Ligës së Konferencës duken reale. /Telegrafi/