Marash Kumbulla u fut në lojë në pjesën e dytë për t’i dhënë Romës siguri në mbrojtje, por edhe për t’i dhuruar një gol me shumë peshë në fundin e ndeshjes ndaj Real Sociedad.
Mbrojtësi kuqezi gjuajti bukur me kokë dhe shënoi golin që vulosi fitoren 2-0 të Romës, duke i dedikuar festën bashkëshortes së tij shtatzënë, teksa pas ndeshjes ndau emocionet edhe me mediat.
“Shumë i emocionuar, pasi një gol poshtë tifogrupit “Curva Sud”, është gjithmonë një kënaqësi e veçantë. E kisha ëndërr një gol aty dhe më në fund e gjeta. Gjithashtu, është një gol që do të na ndihmojë shumë në rrugëtimin tonë në Evropë”, ka thënë fillimisht Kumbulla.
Marash Kumbulla | #RomaRealSociedad pic.twitter.com/pjAD4Nh048
— 𝗔𝗦 𝗥𝗢𝗠𝗔 𝗶𝗺𝗮𝗴𝗲𝘀 (@asroma_images) March 9, 2023
Mbrojtja po shfaqet shumë mirë te Roma dhe për këtë Kumbulla thotë se është meritë e të gjithëve.
“Është padyshim çështje e angazhimit të të gjithë repartit, por edhe e futbollistëve të tjerë. Duke nisur nga sulmi, të gjithë po japin kontributin e tyre që të mbrohemi mirë dhe të mos pësojmë gola”, nënvizoi ai.
Mbrojtësi shqiptar ka thënë se është gjithmonë i gatshëm sa herë që ftohet për të luajtur.
Marash Kumbulla | #RomaRealSociedad pic.twitter.com/KgKqlV26Pl
— 𝗔𝗦 𝗥𝗢𝗠𝗔 𝗶𝗺𝗮𝗴𝗲𝘀 (@asroma_images) March 9, 2023
“Unë jam gjithmonë kështu. Stërvitem në maksimum dhe provoj të jap më të mirën, sa herë që më kërkohet. Natyrisht gjërat në fushë jo gjithmonë shkojnë mirë, por unë jap gjithmonë maksimumin. Ky jam unë, me të mirat dhe defektet e mia”, përfundoi Kumbulla. /Telegrafi/