Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile dhe banorët e zonës së Deçanit nga të cilët ka dëgjuar shqetësimet e tyre në lidhje me punimet dhe gjendjen që është krijuar në Grykën e Deçanit, si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve.
Ai me këtë rast ka siguruar se gjithçka që është në kundërshtim me ligjin sa i përket hidrocentraleve, nuk do të lejohet të ndodhë, duke thënë se ka nevojë për monitorim më të rreptë në këtë fushë.
“Shqetësimi juaj është i qartë, sikur jam i qartë edhe unë me atë se do ta zbatoj ligjin në secilin hap. Çështja e hidrocentraleve në Deçan nuk ka filluar as sot e as dje, por shumë më herët. Tash jemi përball një procesi që kërkon një zgjidhje të drejtë. Ajo që mund të them, është se monitorimi dhe kontrolli duhet të jetë më i rreptë”, ka thënë ministri Kuçi.
Të gjitha kërkesat e këtij delegacioni janë evidentuar nga kabineti i ministrit dhe është dorëzuar kërkesa e shkruar që do të marrë vëmendjen e duhur.
Kërkesë e ministri Kuçi ndaj këtij grupi ishte që mos të reshtin së ngrituri zërin kur shohin se po shkelet ligji dhe të drejtat.
“Zëri i arsyeshëm i banorëve dhe shoqërisë civile me kërkesa të realizueshme dhe përkushtimi i institucioneve janë mjetet që na dërgojnë në hapa të sigurt. Gjithmonë do të jem i hapur për shoqërinë civile, pasi ata shohin pak më thellë se sipërfaqësisht. Kjo më duhet edhe mua si ministër në një dikaster që ka shumë punë dhe shumë të kaluara”, shtoi ministri Kuçi.