Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se mbajtja e votimeve, ku do të vendoset për ose kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave në veri, po shkon drejt dështimit.
Kryeziu ka thënës e dështimi i votimeve në veri mund të dështojë, “jo për shkak të organizimit dhe menaxhimit teknik të këtij procesi. Por, për shkak të mobilizimit dhe paralajmërimeve për bojkot nga ata që e filluan këtë iniciativë përmes peticionit, qytetarëve serbë në këto katër komuna të Kosovës”.
“Besoj se KQZ-ja pas kësaj situate të re, duhet ta rishqyrtoj vendimin e vetë dhe të anulojë këtë proces. Kështu do të shmangë humbjet e panevojshme të energjisë dhe financave shtetërore, për një grusht votash që do të mblidhen këtë të diel. Pjesëmarrja do të jetë e ulët dhe e parëndësishme, larg arritjes së standardeve demokratike që do duhej të përcillte këtë proces”, ka shkruar Kryeziu, transmeton Telegrafi.
Kryeziu ka thënë se “edhe pas të dielës në këto komuna problemet do mbetën të njëjta, në kërkim të një dialogu institucional e politik dhe alternative tjetër për zgjidhje”.
Ndryshe, drejtorët e 33 shkollave në veri të Kosovës kanë refuzuar të lejojnë që hapësirat e këtyre objekteve që të jenë të qasshme për vendvotime më 21 prill, prandaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka gjetur zgjidhje alternative për vendosjen e qendrave të votimit për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri.
Kryesuesi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha për Telegrafin se si zgjidhje alternative kanë gjetur objekte publike, që i përkasin administratës së katër komunave veriore. /Telegrafi/