Pozita dhe opozita në Komunën e Gjilanit nuk po arrijnë një marrëveshje kompromisi për tejkalimin e ngërçit politik, duke pamundësuar miratimin e buxhetit për vitin 2025.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, gjatë një konference për media, theksoi se situata është alarmante për shkak të bllokadës politike nga opozita.
“Mosmiratimi i buxhetit të vitit 2025 ka sjellë një ngërç të rëndë, i cili rrezikon që nga muaji mars të na përballë me një situatë ku ne mbesim pa mjete për pagat e 2 mijë e 419 punëtorëve komunalë,” deklaroi Hyseni.
Ai shtoi se komuna ka bërë gjithçka për të menaxhuar situatën me buxhetin minimal të ndarë nga qeveria, por pa miratimin e Kuvendit Komunal, nuk mund të ekzekutohen as pagat dhe as investimet kapitale.
Për të adresuar këtë çështje, Hyseni njoftoi për një seancë urgjente që do të mbahet nesër në ora 09:00.
“I bëj thirrje opozitës që të reflektojë dhe të mos përdorin këtë situatë zgjedhore për manovra politike që nuk i bëjnë nder vetëm qytetarëve të komunës tonë,” theksoi ai. /Telegrafi/