Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob ka folur për raportimet ku përmendet ai dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në aferën për shpërlarje të parave.
Golob në një televizion slloven ka thënë se të gjitha këto raportime janë trillime të pastërta.
Kryeministri slloven ka thënë se këtë lajm e ka nisur partia SDS para zgjedhjeve në Slloveni.
Sipas tij më vonë u zbulua se Berishaj është mik personal i Janez Janshas, kryetarit të SDS.
“A e dini se kush e nisi këtë. Këtë e ka nisur partia SDS para zgjedhjeve tona. Në atë kohë ata thanë se më financuan mua dhe fushatën time. Por më pas zbuluam se ky z.Berishaj, meqë ra fjala është ambasador në Zagreb, është mik personal i Janez Jansha dhe në atë moment, gjëja nga Sllovenia u zhduk. Tani u ringjall, me sa duket në Kosovë, ndoshta nga miqtë, armiqtë, nuk e kam idenë”, tha kryeministri Golob.
Ai u pyet nga gazetari se “pra ju e mohoni një gjë të tillë?, ndërsa ai u përgjigj: “E gjithë kjo është trillim i pastër”.
Kohëve të fundit ka pasur raportime të shumta në Kosovë lidhur me transferimin e disa milionë eurove nga GEN-i në Prishtinë, në kohën kur kryeministri aktual slloven ishte drejtor i përgjithshëm i GEN-i.
Paratë thuhet ti ketë tërhequr ambasadori i Kosovës në Kroaci, Berishaj dhe kishte bërë transportimin e parave kesh nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dalë në krah Berishajt, duke thënë se s’ka ndonjë provë faktike për ta shkarkuar.
Edhe vetë Berishaj, përmes një reagimi të mërkurën, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që janë drejtuar ndaj tij. /Telegrafi/