Site icon Telegrafi

Kryeministri australian, Albanese kundër amerikanëve për ekstradimin e Assange: Mjaft është mjaft

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese tha se qeveria që drejton ka “kundërshtuar me forcë” ndjekjen penale të themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange.

Ky i fundit është themelues i organizatës jofitimprurëse dhe mediatike, WikiLeaks, e cila publikoi dokumente të klasifikuara të Shteteve të Bashkuara.

Assange, shtetas australian, po lufton në Britani të Madhe kundër ekstradimit në SHBA, ku po akuzohet për spiunazh.

“Kjo ka zgjatur tejet shumë. Çka është mjaft, është mjaft”, tha Albanese.

Partia Laburiste e qendrës së majtë në pushtet ka kërkuar – pas fitores në zgjedhjet e vitit 2022 – prej SHBA-së që të ndalojë së kërkuari Assangen, raporton ap.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken kundërshtoi qëndrimin e Australisë, duke thënë se Assange po akuzohet për “vepra shumë të rënda kriminale” shkaku i publikimit të dokumenteve të klasifikuara amerikane më shumë se një dekadë më parë.

“Unë i kuptoj shqetësimet edhe pikëpamjet e australianëve. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që miqtë tanë këtu të kuptojnë shqetësimet tona për këtë çështje”, tha Blinken.

Assange përballet me 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për publikimin e qindra mijëra dokumenteve të klasifikuara diplomatike dhe ushtarake në vitin 2010. /Telegrafi/

Exit mobile version