Ish-kryetari i komunës franceze La Faute-sur-Mer, Rene Marratier është dënuar me katër vite burg për injorimin e rrezikut nga vërshimet në vitin 2010 ku humbën jetën 29 veta, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Edhe pse ka qenë i paralajmëruar se ka rrezik për vërshime nga stuhia Xynthia që goditi Evropën perendimore në vitin 2010 nga e cila mbetën të vdekur gjithësejt 50 persona, kryebashkiaku Marratier ka fshehur paralajmërimet për katastrofën.
Gjykata e rajonit në Francë e ka akuzuar Marratier se e ka fshehur paralajmërimin e vërshimeve dhe për këtë ai dënohet katër vite heqje lirie.
Gjykata gjithashtu ka shtuar se ai i ka fshehur paralajmërimet pasi ka dashur të përfitoj nga ofertat e vendasve që kanë dashur të ndërtojnë ndërtesa dhe objekte në pjesë ku nuk ka qenë e lejuar të ndërtohet pasi ndërtimi në këto vende do të ndihmonte në katastrofat e ardhshme natyrore.
Këshilltari i kësaj komune gjithashtu është dënuar me dy vite heqje lirie për pjesmarrje në fshehjen e rrezikut për vërshime eventuale.
Kryetari Marratier ka apeluar vendimin por atij i është rrëzuar poshtë ankesa.
Stuhia Xynthia ka kaluar nëpër Spanjë, Portugali dhe Francë më shkurt të vitit 2010 dhe mori jetën e 50 personave dhe la shumë dëme materiale pas vetes.
Në Maqedoni, disa ditë më herët Enti Hidro-Meteorologjik ka njoftuar për vërshimet dhe kohën e keqe në Maqedoni, por askush nuk e dëgjoi.
Profesori i Fakultetit Arkitektonik Mirosllav Gërçev para disa ditëve tha se ka tre arsye pse vërshimet në Maqedoni kanë shkaktuar kaq dëm të madh. ”Kanale periferike të lëna pas dore, rrjet i kanalizimit atmosferik i lënë pas dore dhe projekte ndërtimore me gabime në shtratin e lumit Vardar janë arsyet kryesore për përmbytjet e mbrëmshme në Shkup, ku humbën jetën dhjetëra persona. Kështu ka deklaruar për portalin Nova Mirosllav Gërçev, profesor nga Fakulteti Arkitektonik.”
Në Maqedoni, më saktësisht në Tetovë edhe vitin e kaluar ka pasur vërshime ku mbetën të vdekur 5 persona. Edhe këtë vit kishte vërshime në Tetovë por pa pasoja në njerëz. Në Shkup mbetën të vdekur 21 persona. Mbetet të shihet se kujt do t’i faturohet përgjegjësia./Telegrafi/