Site icon Telegrafi

KRU “Hidromorava” apelon qytetarët për shlyerjen e borxheve ndaj ujësjellësit

Fotografi ilustruese

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” në Gjilan ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët që kanë detyrime të papaguara ndaj ujësjellësit, që t’i shlyejnë sa më parë.

Në njoftim, kompania thekson se për ata që nuk kanë mundësi ta paguajnë borxhin e plotë menjëherë, është mundësuar pagesa me këste mujore.

“Ftojmë të gjithë konsumatorët të cilët kanë detyrime të papaguara ndaj ujësjellësit, KRU “Hidromorava” SH.A – Gjilan, t’i shlyejnë ato sa më parë, ndërsa ata të cilët nuk kanë mundësi financiare që ta bëjnë shlyerjen e tërësishme të borxhit, të lajmrohen në zyrat tona me ç’rast do u ofrojmë mundësin e pagesës së borxhit të tyre përmes kësteve mujore, respektivisht riprogramimit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, “Hidromorava” ka bërë të ditur se të gjithë ata që bëjnë riprogramimin e borxhit para datës 31 mars 2025 do të shmangin përfshirjen në listën e shkyçjes apo në procedurat përmbarimore.

Kompania potencon se pagesa e rregullt e faturave të ujit ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/

Exit mobile version