Ish-trajneri i Romës, Fabio Capello, kritikon Jose Mourinhon duke thënë se shkaktoi dëm ekonomik te Giallorossët duke kritikuar publikisht lojtarët e tij.
Trajneri portugez është nën kritika pas rezultateve zhgënjyese të Romës këtë sezon. Skuadra mori një pikë kundër Sassuolos dje falë një goli të vonë të Bryan Cristante.
Skuadra e Serie A ndodhet e shtata në tabelë me 40 pikë në 25 ndeshje dhe janë gjashtë pikë prapa vendit që shpijen në Ligën e Kampionëve.
Mourinho ka kritikuar hapur lojtarët e tij para mediave gjatë javëve të fundit dhe Fabio Capello thekson se si sjellja e trajnerit po i dëmton Giallorossët, brenda dhe jashtë fushës.
“Ai luajti kartën e tij të fundit duke ofenduar lojtarët e tij”, deklaroi Capello për Sky Sport Italia.
“Nuk e kam bërë kurrë. Unë kritikova, por u përpoqa të tregoja respekt. Gjithmonë kam kërkuar dhe kam respektuar. Është rregulli i parë që kërkova: respekt nga të gjithë, lojtarët dhe anëtarët e stafit”.
“Nëse i ofendoni lojtarët siç bëri Mourinho, ju krijoni dëm ekonomik për klubin dhe kjo është diçka që duhet marrë parasysh”, shtoi më tej ai.
Javën e kaluar, Il Corriere dello Sport raportoi se Mourinho akuzoi lojtarët e Romës se nuk kishin personalitet pas humbjes së tyre 2-0 kundër Interit në Kupën e Italisë.
Paolo Di Canio ka kritikuar gjithashtu Mourinhon duke theksuar se si ai përdori të njëjtën qasje gjatë kohës së tij në Tottenham, gjë që nuk dha rezultat. /Telegrafi/