Kreu i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili shpesh është përplasur me udhëheqjen ushtarake ruse, kohët e fundit ka akuzuar ushtrinë ruse se po përpiqet të hedhë në erë njerëzit e tij.
Pjesëtarët e Wagner pretendonin se kishin marrë nwn kontroll qytetin ukrainas Bakhmut pas muajsh betejash të përgjakshme, dhe që atëherë ‘ia kanë dorëzuar’ pozicionet e tyre forcave të rregullta ruse, transmeton Telegrafi.
Në anën tjetër Kievi ka mohuar këto pretendime, duke thënë se ushtria e tyre gjendet akoma atje dhe se nuk bëhet fjalë për kurrfarë marrje kontrolli nga ana e rusëve.
Sot, Prigozhin tha në Telegram se trupat e tij gjetën dhjetëra lokacione ku punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë kishin vendosur eksplozivë, përfshirë mina antitank, duke thënë se një gjë të tillë e kishin urdhëruar eprorët e tyre, shkruan Sky News.
Prigozhin pretendon se një gjë e tillë nuk kishte për qëllim të pengonte armikun, duke qenë se minat ishin vendosur në zonën prapa vijës së frontit.
“Prandaj supozojmë se mjetet shpërthyese ishin të destinuara për njësitë e Wagner-it që po përparonin drejt objektivit”, tha ai.
“Asgjë nuk shpërtheu dhe askush nuk u lëndua. Ne supozojmë se kjo ishte një përpjekje për fshikullim publik”, shtoi ai.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka komentuar për këto akuza të fundit ndaj Prigozhin. /Telegrafi/