Moska ka thënë se shtetet që nuk respektojnë rregullin që të paguajnë me rubla për gazin, Rusia do të ndalojë furnizimin e tyre.
Duke folur për PBS, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov është shprehur se çfarë do të ndodhë me ato shtete që refuzojnë të paguajnë me rubla.
“Ne nuk do të bëjmë bamirësi dhe të dërgojmë gaz falas për Evropën Perëndimore”, është shprehur Peskov.
Kjo çështje buron nga vendimi i presidentit rus Vladimir Putin, i cili javën e kaluar urdhëroi Bankën Qendrore Ruse, Kremlinin dhe Gazpromin – që kontrollohet nga shteti – që të prezantojnë propozime deri më 31 mars lidhur me pagesat e gazit për “shtetet jomiqësore”, përfshirë të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, grupi i shtatë shteteve më të industrializuara, i njohur si G7-ta, tha se është pajtuar që të refuzojë kërkesën e Kremlinit për pagesën me rubla për energjinë ruse, duke thënë se kjo paraqet shkelje të kontratave ekzistuese.
Ditë më parë, Putin pati thënë se Rusia do të zbatonte ndryshime dhe do të ndalonte së pranuari pagesa në valutat që “janë kompromentuar”. Ndërkaq, më 25 mars, gjatë një takimi të liderëve të BE-së, nuk pati një qëndrim të përbashkët për këtë kërkesë të Rusisë. /Telegrafi/