Telegrafi

Krasniqi reagon për datën e zgjedhjeve: Shtyrje e panevojshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas shpalljes së datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare nga presidentja Vjosa Osmani.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Krasniqi shprehu pakënaqësinë e tij për faktin që data e zgjedhjeve u caktua për 9 shkurt 2025, ndërsa PDK-ja kishte kërkuar që zgjedhjet të mbaheshin më 26 janar 2025.

Krasniqi e konsideroi këtë shtyrje si të panevojshme, por theksoi se tashmë ajo ka pak rëndësi.

Ai u shpreh se 9 shkurti do të shënojë fundin e një qeverie që ai e cilësoi si të papërgjegjshme, dhe ardhjen e një qeverie të re, të udhëhequr nga Bedri Hamza, të cilën e përshkroi si kredibile dhe të aftë.

Lexo po ashtu Presidentja Osmani nxjerr dekretin: Zgjedhjet e rregullta parlamentare mbahen më 9 shkurt 2025

“Megjithëse ne, si PDK, kishim kërkuar që data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të ishte 26 janari i vitit të ardhshëm, sot Presidentja e Kosovës ka dekretuar 9 shkurtin 2025 si datën kur qytetarët do të votojnë. Për ne, kjo shtyrje është e panevojshme, por tani kjo ka pak rëndësi. Më e rëndësishme është se tani kemi një datë që do të shënojë ikjen e një qeverie të papërgjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile dhe të aftë, me Bedri Hamzën në krye,” shkroi Krasniqi.

Ai gjithashtu shprehu besimin se, me PDK-në dhe Bedri Hamzën në krye, Kosova do të kthehet në rrugën e zhvillimit, integrimit dhe partneritetit ndërkombëtar. Krasniqi bëri thirrje për unitet në përpjekjen për të ndërtuar një Kosovë sipas aspiratave të qytetarëve të saj.

Dekreti i Presidentes Osmani gjithashtu udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës./Telegrafi/