Site icon Telegrafi

Krasniqi: Kush hapë një rrugë, hapë mundësi të reja për njerëzit

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka thënë se rruga Deçan-Plavë duhet të ndërtohet.

Krasniqi ka pohuar se ndërtimi i asaj rruge do të hap mundësi të reja për qytetarët, transmeton Telegrafi.

“Njerëzit e urtë e sidomos të parët e fesë, cilado qoftë ajo, duhet të jenë për perspektivën e jetës për njerëzit e jo për ngulfatjen e saj dhe pengimin e zhvillimit të cilitdo vend. Kushdo që bëhet pengesë për rrugën, ai rrënon urat e miqësisë e të bashkëpunimit”, thuhet në reagimin e Krasniqit.

Reagimi i plotë:

Rruga që po ndërtohet në afërsi të Kishës së Deçanit,e njohur botërisht si Manastiri i Deçanit, hap mundësi të reja për të parët e vetë kishës, një mundësi më të madhe për vizitorët e saj dhe një lehtësim për jetën e qytetarëve që jetojnë e bashkëjetojnë në atë pjesë të Dukagjinit. 

Njerëzit e urtë e sidomos të parët e fesë, cilado qoftë ajo, duhet të jenë për perspektivën e jetës për njerëzit e jo për ngulfatjen e saj dhe pengimin e zhvillimit të cilitdo vend. Kushdo që bëhet pengesë për rrugën, ai rrënon urat e miqësisë e të bashkëpunimit!

Rruga duhet të ndërtohet, se ajo aty ishte denbabaden për të lehtësuar jetën e njerëzve e assesi për të penguar e armiqësuar njerëzit e besimeve apo të kombeve të ndryshme. Madje, pa atë rrugë, që ishte e është më e vjetër se vetë kisha, as kisha nuk do të ishte aty”./Telegrafi/

 

Exit mobile version