Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Mitrovicës, Bedri Hamza, kanë vizituar të premten qytetarët e prekur nga vërshimet në këtë komunë.
Krasniqi ka thënë se dëmet materiale në Komunën e Mitrovicës janë të mëdja, ndërsa ka kërkuar reagim urgjent nga Qeveria.
“Së bashku me Kryetarin Bedri Hamza, sot në Mitrovicë takuam shumë qytetarë të prekur nga vërshimet e djeshme. Edhe në këtë komunë dëmet materiale janë shumë të mëdha”, ka shkruar ai në Facebook.
“Ringritja e infrastrukturës publike dhe kompensimi i të gjitha dëmeve që qytetarët kanë pësuar, kërkojnë reagimin urgjent të Qeverisë së Kosovës”.
Tutje, i pari i PDK-së ka thënë se dërgimi i ekipeve emergjente për të sanuar gjendjen, mbështetja e qytetarëve me asistencë shëndetësore, pako ushqimore, strehim dhe rikuperimi i dëmeve materiale duhet të bëhen shpejtë dhe pa humbur kohë.
“Në këto ditë të vështira për të gjithë Kosovën, asnjë qytetar i vendit nuk duhet të lihet i vetëm dhe pa mbështetjen e shtetit!”, ka përfunduar Krasniqi./Telegrafi/