Komisioni Qendror Zgjedhor u ka kthyer përgjigje qytetarëve serbë të cilët i kishin dërguar këtij institucioni formularë të plotësuar për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarëve në veri të vendit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se i kanë njoftuar qytetarët serbë që sipas akteve nënligjore të MAPL-së, kjo çështje duhet të dorëzohet te kryesuesi i kuvendit komunal në komunat përkatëse.
“Mund t’iu konfirmoj se shkresat të cilat i kemi pranuar më 5 dhjetor përmes e-mailit, janë shqyrtuar dhe u kemi kthyer përgjigje, me anë të të cilave i kemi njoftuar se sipas akteve nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kjo çështje duhet të adresohet tek kyesuesi i kuvendit komunal në komunat përkatëse, andaj i kemi udhëzuar që kërkesat e dorëzuara në KQZ t’i adresojnë tek autoriteti kompetent”, ka thënë për KosovaPress, Valmir Elezi, zëdhënës në këtë institucion.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të martën ka konfirmuar ka pranuar katër e-maila, prej të cilave tre i kanë të bashkangjitur formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës.
Ndryshe, siç kanë raportuar mediat në gjuhën serbe në veri të Kosovës, në katër komunat veriore një grup i qytetarëve serbë kanë provuar të dorëzojnë një ‘kërkesë’ për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë ashtu siç parashihet në udhëzimin administrativ të miratuar kohë më parë, por sipas këtyre mediave kjo nuk ka qenë e mundur.
Në lidhje me këtë kryetari i Kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin, ka thënë se kjo “kërkesë” e qytetarëve nuk i është dorëzuar zyrtarisht.
Ai në një prononcim për Telegrafin ka thënë se këto lloj iniciativash nuk janë në përputhje me udhëzimin administrativ të Qeverisë së Kosovës për zëvendësim të kryetarit. /Telegrafi/