Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 24 sosh, LDK – 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.
Pas më shumë se një muaj nga përfundimi i zgjedhjeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi ka thënë se procesi i numërimit ka qenë transparent.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Kreshnik Radoniqi, ka thënë se me Ligjin e ri për Zgjedhjet, subjektet politike mund të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me këtë rezultat përfundimtar deri në 48 orë nga shpallja e tij.
PZAP-ja, më pas, duhet të marrë vendim brenda 96 orëve nga parashtrimi i ankesës.
Radoniqi ka garantuar se në asnjë moment nuk është cenuar integriteti i votës, ani pse ka pasur vonesa në numërim të votave.
Ai i ka arsyetuar vonesat duke thënë se votat janë numëruar për herë të parë siç e parasheh ligji i ri, që do të thotë se fillimisht janë numëruar votat për subjektet politike, më pas janë numëruar votat për kandidatët për deputetë në 38 qendra të numërimit, bashkë me verifikim të votave për subjekte politike.
Si tjetër arsye për vonesë, ai e ka përmendur edhe platformën elektronike, e cila sipas tij nuk ka funksionuar si duhet, andaj zyrtarët janë detyruar të verifikojnë edhe manualisht çdo shifër, para futjes së rezultateve në sistem.
“Rezultat kanë ndjekur hapat e paraparë sipas Ligjit për zgjedhje dhe janë numëruar në transparencë të plotë”, ka thënë ai, duke u zotuar se KQZ-ja do të organizojë panele të brendshme për të kuptuar ku ka ngecur puna dhe për t’i shmangur problemet eventuale në proceset e ardhshme zgjedhore.
Kandidati për kryeministër nga VV-ja, Albin Kurti del kandidati më votuar në zgjedhje me 337.791 vota.
Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese, LVV-ja në këtë rast, që të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.
Ndarja e mandateve
LVV – 42.30% apo 48 mandate
PDK – 20.95% apo 24 mandate
LDK – 18.27% apo 20 mandate
AAK NISMA- 7.06% apo 8 mandate
Lista Serbe – 4.26% apo 9 mandate
Partia serbe LDM 1 mandat.
Partitë joserbe – 10 mandate
Për të pasur shumicën, nevojiten së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës. /Telegrafi/