Kombëtarja e Kosovës U17 në konkurrencën e vajzave e ka mposhtur Malin e Zi, me rezultat 5-0, në miqësoren e parë të zhvilluar në Kampin Nacional në Hajvali.
Të përzgjedhurat e Sanije Krasniqit e dominuan lojën dhe qysh në pjesën e parë krijuan epërsi prej katër golash. Serinë e golave e nisi Olsa Maqastena, në minutën e 3-të.
Me të njëjtën dinamikë Kosova e vazhdoi lojën, ku në minutën e shtatë, Loela Ahmeti shtoi epërsinë në 2-0.
Dardanet, të motivuara maksimalisht, konkretizuan thuajse çdo rast në pjesën e parë. Në minutën e 16-të, Krenare Kelmendi ngriti epërsinë në 3-0.
Mbrojtja e Malit të Zi nuk i rezistoi as sulmit të radhës të Olsa Maqastenës, e cila me golin e saj në minutën 35 bëri që pjesa e parë të përmbyllej me rezultat të thellë 4-0.
Kosova, e cila në këtë ndeshje u paraqit vetëm me futbolliste nga kampionati vendor, nuk i la shpresë Malit të Zi për ta ndryshuar rezultatin as në pjesën e dytë.
Madje, në minutën e 69-të ishte sërish Krenare Kelmendi, e cila e gjeti rrugën e rrjetës për të vendosur rezultatin përfundimtar 5-0.
Ndeshja e dytë miqësore zhvillohet të premten nga ora 10:30, po ashtu në Kampin Nacional në Hajvali.
Këto dy miqësore i shërbejnë përzgjedhëses Krasniqi për ta përgatitur sa më mirë ekipin për ndeshjet kualifikuese që zhvillohen në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit në Shqipëri. Kosova është në grup me Shqipërinë dhe Izraelin. /Telegrafi/