Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kur janë bërë 23 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur.
Kjo ditë do të shënohet me disa aktivitete në Kosovë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, bëjnë homazhe te përmendorja dedikuar personave të zhdukur.
Kryqi i Kuq i Kosovës do të ekspozojë 35 fotografitë e realizuara me familjarët e të zhdukurve në sheshin “Skënderbeu” Prishtinë, duke filluar nga ora 09:00, pastaj në orën 10:30, bëhen homazhe te Obelisku, para Kuvendit të Kosovës, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Kurti.
Kurse, YIHR KS nëpërmjet aksionit rrugor “Dera e Pritjes”, solidarizohet me dhimbjen dhe revoltën e familjarëve dhe shoqërisë më gjerë për zbardhjen e së vërtetës dhe gjetjen e drejtësisë, në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 12:00.
E kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka siguruar një hapësirë e cila do të shërbejë për nevojat e Shoqatës së të pagjeturve të Kosovës dhe zyrtarisht ia dhuron çelësin e zyrës kryetarit të kësaj shoqate në orë 13:00, raporton kp.
Gjithashtu, do të bëhet promovimi i librit ‘Fëmijëri të rrëmbyera’, realizuar nga forumZFD – Programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur. Ndërsa, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) prezanton publikimin “Memorializimi, roli dhe rëndësia e tij në ballafaqimin me të kaluarën”. Pas prezantimit do të pasojë një debat rreth kulturës së memorializimit në Kosovë dhe rajon.
Në Krushë të Madhe përkujtohen familjarët e zhdukur në luftë, 25-26-27 mars 1999, ku në shenjë respekti për ta do të ndezën 64 flakadanë, në orën 19:00.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona, ndërkaq aktualisht të zhdukur konsiderohen 1643.