Skuadra e Kosovës e ka fituar trofeun e edicionit të 13-të të turneut tradicional në futsall në kujtim të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Ky turne mbahet në çdo fillim të muajit mars në organizim të FFK-së, në kuadër të manifestimeve “Jetojmë me Lavdinë Tuaj”.
Dardanët fituan në përballje me Kombëtaren e Shqipërisë, me rezultat 6-3. Ndonëse një vëllazërore, ndeshja u përshkrua me angazhim maksimal nga të dyja ekipet dhe me lojë interesante.
Të parët në epërsi kaluan kuqezinjtë me golin e Narcis Alibegut, në minutën e gjashtë. Por, Dardanët arritën të përmbysin rezultatin me golat e Drilon Maxharrajt (9’) dhe Mërgim Dervishajt (13’), duke shkuar në pushim me epërsi 2-1.
Në pjesën e dytë të përzgjedhurit e Arben Simitçiut treguan lojë më të mirë dhe si rrjedhojë edhe e çuan rezultatin në 6-2, me golat e realizuar nga Melos Kelmendi (26’), Drilon Maxharraj (28’), Jeton Rukovci (31’ e 38’) dhe Ermir Kryeziu (32’).
Ndërkohë, kuqezinjtë përkundër angazhimit maksimal në minutat e mbetura nuk arritën të bëjnë më shumë se sa ta ngushtojnë avantazhin e vendasve në 6:3, me golin e Mentor Mejzinit.
Në fund trofeun kapitenit të Kosovës, Jeton Rukovci ia ndanë kryetari i Komisionit të Futsallit, Haki Xhemajli dhe nipi i Adem Jasharit, Hamëz Jashari, teksa të dyja ekipet shkëmbyen dhurata.
Para kësaj ndeshje u zhvillua edhe dueli ndërmjet Veteranëve të UÇK-së dhe Veteranëve të futbollit të Kosovës, e ku fituan veteranët e UÇK-së, me rezultat 3-1.