Tifozët e Kosovës e kanë nderuar edhe një herë legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin e Prishtinës që mban pikërisht emrin e futbollistit legjendar dhe presidentit ikonik të Federatës së futbollit të Kosovës, tifozët kishin përgatitur një koreografi të veçantë.
Në tribuna është ngritur numri 9, i bartur nga Vokrri, si edhe fotografia e tij me mbishkrimin “Our Hero” (Heroi ynë).
Ndërsa i gjithë stadiumi e ka thirrur emrin Fadil Vokrri.
Përfaqësuesja e Kosovës zhvillon ndeshjen e vlefshme për Grupin 3 në ligën D të Ligës së Kombeve, ku përballet me Ishujt Faroe.
Është kjo sfida e parë që skuadra zhvillohet në stadiumin e rinovuar “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kujtojmë që kjo përballje vjen pas kthimit nga Azerbajxhani, ku përfaqësuesja jonë barazoi pa gola me kombëtaren e këtij vendi në Baku.
Pritet që Kosova të regjistrojë fitore dhe të arkëtojë pikë të plota në këtë sfidë. /Telegrafi/