Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar që të mbahet seanca e jashtëzakonshme për Policinë, pasi Kuvendi nisi punën për seancën e planifikuar për orën 14:00.
Seanca e jashtëzakonshme për Policinë ishte dashur të mbahej në orën 11:00, por dështoi për shkak të mungesës së deputetëve të pushtetit.
Tash, kur po mbahet vazhdimi i seancës së 5 tetorit dhe janë të pranishëm deputetët e pushtetit, opozita ka kërkuar që fillimisht të mbahet seanca e jashtëzakonshme.
“Ishte kërkesë e opozitës për mbajtje e seancën e jashtëzakonshme. Ju si kryetar në prani të shumicës duhet ta jepni një verdikt për mbylljen apo vazhdimin e asaj seance. Nuk mund të fillojë një seancë pa u dhënë verdikti. Duhet ta respektoni rregulloren e punës së Kuvendit nenin 68.4”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka theksuar se asnjë seancë apo asnjë temë tjetër nuk është më me prioritet se siguria e Kosovës.
“Pasi kemi kuorum të kthehet seanca dhe ta votojmë rezolutën”, ka thënë Musliu.
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka kërkuar që të plotësohen kërkesat e policëve.
“Nuk po dojmë me fitu vota me këtë punë. Ne po duam që policëve t’u paguhet rrezikshmëria, të kenë kushte më të mira”, ka thënë Berisha.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se ajo seancë nuk ka marrë epilog sepse nuk ka filluar. Ndërsa ka thënë se do të vazhdohet me seancën e planifikuar.