Komuna e Gjilanit ka mbajtur takim me përfaqësuesit e fshatrave dhe të shoqatave të bashkatdhetarëve, me qëllim të aktivizimit qytetar që të mund të ndikojnë në krijimin e projekteve.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni tha se këtë vit e kanë nisur me takime të frytshme, duke përçuar mesazhin e bashkëpunimit dhe përkushtimit për të mirën e përbashkët.
I pari i komunës tregoi se në fshatrat Miresh, Pogragjë, Përlepnicë, Llashticë, Malishevë dhe Demiraj, mirëmbajtja dhe realizimi i projekteve do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë mes komunës dhe banorëve.
“Kjo qasje synon të shërbejë si model i bashkëpunimit efektiv mes qytetarëve dhe institucioneve edhe në zona të tjera”, tha Alban Hyseni.
Ndryshe, edhe Shoqata “Pogragjë” ka reaguar duke thënë se kjo shoqatë në Zvicër ka qenë një shtyllë kyçe, duke mbledhur fonde për të mbuluar pagat e dy punëtorëve që kujdesen për pastërtinë dhe mirëmbajtjen e fshatit.
Ndonëse theksohet se, kryetari i komunës në emër të institucionit, nënshkroi një bashkëpunim për të marrë përsipër pagesën e njërit prej punëtorëve. /Telegrafi/